Lushnja në garë me kohën për punimet në stadium

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Pas tre vjetësh mungesë, Lushnja rigjeti Kategorinë Superiore. Nënkryetari i Bashkisë së qytetit, Gentian Nushi zbulon edhe ambiciet e klubit në këtë rikthim, me skuadrën që nuk mendon të jetë thjesht kalimtare në edicionin e ri në elitën e futbollit shqiptar.

“Pas kaq viteve që kthehemi në Kategorinë Superiore, Lushnja do të tregojë vlerat që ka treguar gjithmonë. Ne vijmë me ambiciet tona, të cilat janë të qëndrojmë sa më gjatë në Superligë, aty ku Lushnja vërtetë e meriton. Po i bëjmë të gjitha përpjekjet si nga ana e infrastrukturës, ashtu edhe nga ana e investimeve të Bashkisë, që ky ekip të jetë ai që tifozët lushnjarë, por edhe që futbolli shqiptar e meriton.”

Më 9 Shtator, skuadra e Artan Bano debuton në shtëpi ndaj Vllaznisë. Me punimet në stadiumin “Roza Haxhiu” që do të nisin gjatë javës së ardhshme, në Lushnjë janë në garë me kohën për ta luajtur ndeshjen e parë përpara publikut të tyre.

“Pas riorganizimit për rialokimin e fondeve, sepse sha e Lushnjes është 100 për qind në funksion të Bashkisë, tani jemi të gatshëm që të nisim punimet në stadium. Do të fillojmë me fushën, për të vijuar me punimet që stadiumi të përmbushë parametrat për të luajtur në Superiore. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ndeshja e parë të luhet në shtëpi. Besoj që do tia arrijmë, dhe le të shpresojmë.”

Sfida e skuadrave që ngjiten mes më të mirëve është rritja e nivelit të kontingjentit. Me merkaton që ka hyrë në fazën e nxehtë, te Lushnja mungojnë afrimet e mëdha, por pasi konfirmoi grupin që siguroi Kategorinë Superiore, Nushi premton surpriza.

“Bazën e ekipit e kemi, me djemtë lushnjarë që kanë luajtur për vite me radhë, duke e njohur mjaft mirë njëri tjetrin dhe janë mjaft të talentuar. Por, ekipi ka nevojë për mbështetje tjetër, për afrimin e elementëve të tjerë, qofshin këta të rinj apo edhe lojtarë me eksperiencë. Jemi në merkato dhe besoj që do të jemi një skuadër simpatike në këtë Superiore. Emra konkretë? Le ti lëmë surprizë…”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.