Lushnja nis stërvitjen. Zyrtarizohet largimi i parë

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Lushnjarët u kanë dhënë fund pushimeve dhe dje kanë dalë në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”, për të zhvilluar stërvitjet në mënyrë të organizuar. Seanca e parë stërvitore është drejtuar nga tekniku Artan Bano, i cili vetëm pak ditë më parë është konfirmuar nga presidenti Fatos Tushe në krye të pankinës.

Në seancën e djeshme kanë dalë në fushë thuajse të gjithë futbollistët që mbyllën sezonin e fundit në stadiumin “Roza Haxhiu”. Përjashtim ka bërë peqinasi Klejdis Brancia, i cili nuk do të jetë më pjesë e Lushnjës. Ka qenë vetë lojtari që ka pranuar për “Panorama Sport” ndërprerjen e bashkëpunimit me skuadrën lushnjare. Kështu që Klejdis Branica konsiderohet i larguari i parë nga radhët e Lushnjës.

Përgatitjet e djeshme kanë qenë të një karakteri të lehtë. Ushtrime të karakterit atletik dhe aerobik, lojëra argëtuese dhe tifozë në tribunën qendrore të stadiumit në një ditë jo shumë të nxehtë ka qenë panorama e seancës së parë stërvitore të Lushnjës. Me grupin është stërvitur dje dyshja e sulmit Canka-Sefa, si dhe lojtarët e tjerë të njohur në kampin lushnjar, si Xhafa, Byzhyti, Ruço, Taullau, Baze, Renato Dervishi, Musaku, kuçovari Alushi dhe peqinasi Magani.

Ndërsa portieri Haremi, mesfushorët Griseld Dervishi dhe Mezini kanë zhvilluar vrapime rreth pistës së stadiumit. Ndërkaq, lojtarët e përmendur si afrime të mundshme nuk janë parë në seancën e parë stërvitore, por kanë asistuar dy futbollistë kosovarë. Në ditët në vijim pritet që Lushnja të jetë më e plotësuar në stërvitjet e saj në mënyrë të organizuar. Ndryshe nga viti i kaluar, Lushnja pritet që të grumbullohet dhe të kryejë një fazë përgatitore në Malin e Zi.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.