LUSHNJA / Pepa, akoma nuk kam gjetur akordin financiar

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Me një paraqitje shumë të mirë në Kategorinë e Parë, lushnjarët iu rikthyen futbollit elitar pas tre sezonesh mungesë. Mes entuziazmit dhe vështirësive, skuadra e teknikut të rikonfirmuar Artan Bano ka dalë në fushën e stërvitjes për të përgatitur sezonin e ri.

Përsëri një ekip në varësi të plotë të Bashkisë, me financa që miratohen nga Këshilli Bashkiak, përballë një misioni të vështirë që është mbijetesa. Janë gati për të rinovuar pothuajse më të rëndësishmit që arritën suksesin e 14 majit. Ndërsa janë bërë tri afrime, ku më i rëndësishmi është ai i sulmuesit Brunild Pepa. Futbollisti 27-vjeçar i është përgjigjur kërkesës për të dalë në stërvitje me Lushnjën dhe ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer te verdhejeshilët pas shtatë vjetësh.

DEKLARATA

Në një prononcim për “Panorama Sport”, në lidhje me përgatitjet që po zhvillon me skuadrën e Lushnjës, Pepa është shprehur:

“Kam disa ditë që stërvitem me Lushnjën dhe e ndiej veten mjaft mirë. Ekipi është i motivuar në stërvitje, me dëshirë, me entuziazmin që do të luajë në Superiore. E falënderoj stafin teknik që më vlerësoi dhe e kam menduar rikthimin te Lushnja. Aq më tepër që unë po bëj dhe stërvitje me ekipin. Por, më duhet të bëj një takim me një drejtues për aspektin financiar.

Të flasim për kërkesat që kam në anën ekonomike, për pjesën financiare. Nëse biem dakord dhe për këtë unë e kam dëshirën për të qëndruar te Lushnja, atëherë do të përqendrohem te puna, tek objektivi. Nëse nuk arrijmë marrëveshjen, do të shikoj për ndonjë ekip tjetër”, u shpreh Pepa.

Sulmuesi lushnjar pas një sezoni në Kategorinë e Parë me verdhejeshilët (2009-2010), ka luajtur në dy periudha të ndryshme për Teutën, për Flamurtarin, Bylisin dhe Vllazninë. Në rast se do të vihet nën urdhrat e trajnerit Bano për sezonin e ri ai do të jetë një pikë shumë e fortë në formacionin e skuadrës, duke dhënë garanci së bashku me Sefën në vijën e parë të sulmit. Klubi lushnjar brenda muajit mund të nisë edhe firmosjen e kontratave me lojtarët që mbyllën sezonin e shkuar.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.