Lushnja/ Pepa: Golin po e ruaj për ndeshjen hapëse ndaj Vllaznisë

0
SHPËRNDAJE

Sulmuesi ka parandjenjën se do të shënojë në premierë, ndërsa mbrojtësi Bizhyti thekson se skuadra ka gjendjen e duhur për të përballuar elitën

Lushnjarët kanë fituar pastër, 0-2, në miqësoren kundër fqinjëve fierakë të shtunën. Në të vërtetë, Apolonia, duke e krahasuar me Albpetrolin dhe Shkumbinin, konsiderohej si kundërshtar më i fortë në miqësoret aktuale të verdhjeshilëve. Por përballë tyre, lushnjarët kanë triumfuar bindshëm, me lojë dhe me gola, duke treguar se jo më kot janë pjesë e Superligës. Për verdhjeshilët kanë shënuar mbrojtësi Alban Byzhyti dhe i përhershmi Mikel Canka. Trajneri Bano e ka lënë pushim skuadrën dje dhe stërvitja rinis sot pasdite.

BRUNILD PEPA – Edhe pse nuk ka shënuar në miqësoren ndaj Apolonisë, sulmuesi Brunild Pepa ka bërë një lojë shumë të mirë. I rrezikshëm brenda zonës me driblimet e tij, por efektiv edhe në pasin e fundit e potent në çdo dyluftim me mbrojtësit kundërshtarë. Pepa do të jetë lojtari kryesor i sulmit verdhjeshil në kampionatin, që starton më 9 shtator.

“Pa dyshim që ndaj Apolonisë kemi treguar qartë se jemi një ekip solid, që premton një ecuri të mirë në Superligë. Ekipi ka funksionuar në mënyrë thuajse perfekte, duke qenë shumë i disiplinuar taktikisht. Shënuam dy gola dhe natyrisht do të doja të kisha shënuar edhe unë, pasi mundësitë i kisha, por nuk u tregova i saktë. Parësor për ne është rezultati pozitiv dhe them se edhe unë ndikova në atë fitore. Përfitoj nga rasti të përgëzoj kolegun Canka për golin e bukur që shënoi në atë miqësore. Duke pritur me padurim fillimin e kampionatit, kam shumë besim se golin tim do ta shihni më 9 shtator në premierën tonë ndaj Vllaznisë”, – ka thënë lushnjari Brunild Pepa.

ALBAN BYZHYTI – Titullari i mbrojtjes lushnjare, në miqësoren fierake ka qenë protagonist jo vetëm në manovrën mbrojtëse të formacionit të Banos. Byzhyti ka shënuar edhe një gol, duke zhbllokuar rezultatin. Ai shprehet i bindur se ekipi po pëson ngritje të dukshme të nivelit të lojës dhe se  gjatë kampionatit Lushnja do të arrijë rezultate pozitive:

“Pas ngarkesës së madhe fizike, që kemi marrë në përgatitoren e Pogradecit, ndiheshim pak të kontraktuar, por më pas gjithçka ka ardhur duke u minimizuar në këtë drejtim. Nga ndeshja në ndeshje kemi qenë edhe më mirë. Kjo gjë u duk qartë edhe në përballjen me Apoloninë, ku kemi treguar një nivel të kënaqshëm fizik dhe tekniko-taktik. Këto paraqitje janë mjaft premtuese për atë çka do të kërkojmë në kampionat. Miqësorja e zhvilluar në stadiumin e Fierit na shërben edhe si orientim me këtë fushë. Kjo për faktin se deri në përfundimin e rikonstruksionit të stadiumit tonë, Lushnja do t’i zhvillojë ndeshjet e shtëpisë në “Loni Papuçiu” të Fierit. Pra, kjo miqësore ishte 2 herë e rëndësishme për ne. Ekipi është përmirësuar gradualisht dhe mendoj se deri ditën e fundit të kësaj faze përgatitore do të kemi kopsitur mirë çdo detaj. Grupi do të jetë i harmonizuar në mënyrën më të mirë”, theksoi Byzhyti.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.