Magani: Jam më i kënaqur me sezonin e vjetshëm, vitin e ardhshëm nuk do jem pjesë e Teutës

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Sulmuesi i Teutës, Artur Magani, konfirmon se në sezonin e ardhshëm nuk do të jetë më në të njëjtin ekip me të atin, trajnerin Gugash Magani, duke thënë se njëri prej tyre do të largohet nga Durrësi. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes ndaj Korabit për SuperSport, ai pranoi se gjatë këtij sezoni priste të realizonte më shumë gola, por për arsye të ndryshme nuk ia arriti.

“Sigurisht që edhe këto tre gola të këtij sezoni i vlerësoj, por jam më shumë i kënaqur me sezonin e vjetshëm. Këtë vit unë dhe të tjerët prisnim që të shënoja më shumë, por nuk u arrit për shumë arsye. Megjithatë iu gëzohem këtyre golave sepse i kanë dhënë pikë ekipit dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Shpresoj në ndeshjet që kanë ngelur të shënoj sa më shumë.”

“E kam dëgjuar deklaratën e trajnerit Magani në lidhje me vështirësinë e të qenurit babë dhe bir në të njëjtin ekip dhe them që vitin e ardhshëm nuk do jem pjesë e Teutës, ose më saktë nuk do të jemi të dy, ose ai ose unë. Edhe vjet ishim në një ekip por gjërat shkuan mirë, ndërsa këtë vit nuk kanë shkuar aq mirë për mua dhe presioni ka qenë shumë shumë i madh. Pajtohem me deklaratën e tij”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Teutës, Artur Magani. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.