Magani: Jemi në pozita delikate por do të qëndrojmë në superiore

0
SHPËRNDAJE


Kishte shpresa se mund t’ia dilte ndaj Skënderbeut, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, por kjo ka rezultuar veçse iluzion. Gugash Magani, trajneri peqinas i Teutës, thotë se ka qenë optimist deri në momentin e shënimit të golit nga Latifi, kur mori fund gjithçka, sepse tashmë nevojiteshin tre gola për të shkuar në finale. Duke folur pas humbjes 1-0 në “Niko Dovana”, kryepankina e “djemve të detit” tha:

“Shpresonim te kualifikimi, sepse humbja në Korçë nuk ishte e tillë, që nuk na jepte shpresë. Megjithatë, bëmë gabime. Aksioni i golit të kundërshtarit duhej ndalur që në mesfushë. Më pas bëmë ndërrime, por skuadra nuk pati besim se mund të shënonte. Gjithsesi, kaq ishin mundësitë tona, shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë ishte shumë i vështirë për Teutën. Ne dolëm para porte, rrezikuam dhe mund të shënonim që në pjesën e parë, por goli i Skënderbeut e ktheu gjithçka në favor të tyre, edhe pse patëm raste në vazhdim.

A do të jetë ky eliminim goditje e mundshme në aspektin psikologjik për vazhdimin e kampionatit?

Ndikim do të ketë te lojtarët, sepse çdo humbje është e hidhur, por kam eksperiencën e duhur si trajner për të shikuar përpara dhe minimizuar ndonjë pasojë të mundshme në moralin e lojtarëve të mi. Kupa ka specifikat e veta. E përsëris, ne dhamë maksimumin, por kaq janë mundësitë. Nuk na mbetet ndonjë gjë pishman. Tani duhet të shikojmë përpara, të bëjmë shumë kujdes në kampionat, sepse është një moment tepër i rëndësishëm. Jemi në pozita shumë delikate, por nuk e mendoj aspak rënien. Jam besimplotë se Teuta do të qëndrojë në Superiore”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU