Magani: Lamë dy pikë, por ishte rezultat i drejtë

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, duke analizuar ndeshjen Teuta-Flamurtari në prononcimin për SuperSport barazimin pa gola kundër vlonjatëve, e konsideron të drejtë rezultatin, por përsërit idenë se skuadra e tij prodhon lojë dhe problemi i vetëm është shënimi i golit.

“Lamë dy pikë, jo se Flamurtari nuk e meritoi barazimin, sepse ishte rezultat i drejtë, por sepse luanim në shtëpi dhe synimi ishte fitorja. Më vjen keq për faktin që nuk tregohemi konkretë në rastet që krijojmë, sepse goli është problemi ynë madhor, gjë që na ndodhi edhe sot. Krijuam lojë dhe raste, fituam shumë goditje dënimi dhe këndore, por nuk ia dolëm mbanë. Skuadra nuk është e qetë, por këto ndeshje zgjidhen me qetësi, mund të fitohen edhe në fund. Sulmuam shumë, por në fund mund edhe ta pësonim, sepse edhe Flamurtari pati hapësira.

“Aktivizimi i mesfushorit Çyrbja dhe spostimi i mesfushorit Progni si sulmues? Nuk e futa sulmuesin Magani në fillim të pjesës së dytë sepse ka pasur një problem fizik në kofshë. Përveç kësaj, sulmuesit maten me gola dhe Arturi e di që me mua në stol do të vuajë gjithmonë.

Ndeshja me Korabin e rënë? Ose fitojmë, ose biem nga kategoria.

Nuk e kemi luksin të bëjmë gabime, është moment mjaft delikat i sezonit dhe duhet respektuar çdo rival, edhe Korabi, që ndali Vllazninë e vendit të pestë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës, Gugash Magani. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.