Magani: Nuk e kisha menduar një fitore kaq të thellë, kemi bërë kampionat të dobët

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, sheh mbijetesën si objektivin e vetëm që i ka mbetur skuadrës së tij në këtë sezon, edhe pse në fakt është më afër vendit të katërt sesa atij të parafundit. Në prononcimin për SuperSport ai nuk ngurroi ta cilësonte si një sezon të dobët atë që kanë bërë durrsakët në këtë edicion.

“Nuk e kisha menduar një fitore kaq të thellë se normalisht ne kemi pasur krizë rezultatesh këtë kohë, aq më shumë që mendimi që kanë në skuadër lojtarët ishte se luajnë me një ekip jashtë objektivave. Duhet shumë punë për t’i motivuar lojtarët në këtë lloj ndeshje, edhe sepse Korabi nuk ka gjysmën e skuadrës. Korabi na vendosi në vështirësi në 20 minutat e para. Pas shënimit të golit të dytë, skuadra jonë u lirua nga ankthi dhe presioni. Në pjesën tjetër kemi administruar rezultatin dhe ruajtur skuadrën për të mërkurën”.

“Në futboll asgjë nuk është e sigurt, ndeshja mund të shkojë nga 0-2 në 3-2. Ndërkohë që pas 0-3 po mendonim për ndeshjen e radhës, e patë që bëra ndërrimet në momentin kur bëmë golin. Në fund mendoj se morëm 3 pikë shumë të rëndësishme, të vlefshme janë si kundër Korabit ashtu edhe ndaj ekipit që lufton për kreun”.

“Çmajçanin ishte i dëmtuar dhe jo i gatshëm për sot, e morëm sa për të qenë në organikë. Sa i përket mbrojtësit Rustem Hoxha dhe mesfushorit Musta, janë lojtarë që kanë të verdhë dhe mendova që mund t’i ruanim për ndeshjen tjetër. I kishim prezent nëse duhej kontributi i tyre, siç e patë edhe mesfushorin Musta e përdorëm. Ndërkohë që do të thosha që Rustem Hoxha është lojtari që ka marrë më shumë minuta, një farë rotacioni duhej ta bënim me Korabin”.

“Objektivi im, pa bërë modestin, është të shpëtojmë nga Kategoria Superiore, se të jemi të sinqertë kemi bërë kampionat të dobët. Mendoj se dhe ecuria ime në vitin 2016 ka qenë e dobët, në 2017 është ndryshe. Unë e quaj sukses nëse ne shpëtojmë në Superiore, se lufta është e ashpër. Oreksi vjen duke ngrënë por objektivi i parë është qëndrimi në Superiore”.

“Edhe Arturi e ka shumë të vështirë, por jo sa unë. Se trajneri është gjatë gjithë kohës në pankinë, ndërsa lojtari i nxjerr emocionet duke djersitur në fushën e lojës, nuk ka aq probleme sa ka trajneri”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës, Gugash Magani. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.