Magani: Nuk mbajtëm trysninë në këtë ndeshje, gjyqtari Hamiti nuk ishte i paanshëm

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri i Teutës, Gugash Magani nuk e ka cilësuar turp humbjen ndaj Kukësit dhe mendon se verilindorët e meritonin sot fitoren më shumë se ekipi që ai drejton. Ndërkohë që në prononcimin për SuperSport, ai lëshoi edhe thumbime ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti, duke e cilësuar të njëanshëm drejtimin e tij.

“Mendoj që në tërësi nuk mbajtëm trysninë në këtë ndeshje. Goli i parë ishte komplet i evitueshëm dhe nuk mund të flas për të, mund të jetë edhe penallti. Ndërkohë që mendoj se gjyqtari Hamiti sot nuk ishte tamam siç ka misionin, i paanshëm. Ndërkohë që nuk është se ndikoi në rezultat, mendoj që Kukësi e meritoi fitoren dhe ajo ishte rezultat i kualiteteve që ka në raport me ne. Në momente të veçanta, ata dolën para portës dhe fituan penallti e shënuan, ndërsa në jo. Ky është personaliteti që ka një skuadër e tillë që e zgjidhin ndeshjen”.

“Vetëm kjo punë nuk ka llogari, se luhet në fushë, nuk ka parashikime. Ne të gjithë kohës ishim të rrezikuar dhe sot nëse fitonim ishim një hap para për mbijetesën. Ta harrojmë këtë ndeshje dhe të fokusohemi në ndeshje të tjera ku secila ka presion dhe trysni që duhet t’i marrim me qetësi se përndryshe rrezikohemi”.

“Patjetër që kjo komplikon situatën se nëse nuk shënon edhe nuk merr pikët. Unë mendoj se sulmuesit kanë ngërç, rastet që janë krijuar janë probleme cilësie dhe menaxhimi i emocioneve se dhe Ribaj dhe Magani, po të ishin më të qetë do të kishin realizuar rastet e golave. Do të thosha që rreziku i rënies ka qenë prezent që në fillim kur erdha këtu. Bëmë një fazë të tretë mirë, dhe e filluam mirë të katërtën. Sot nuk është turp të të mundë Kukësi, motivimi ishte i njëjtë se ne luftojmë për mbijetesë dhe ata për titull. Duhet të ulemi të analizojmë për finalizimin se kemi probleme në sulm në fakt”.

“Kupa është diçka tjetër, se nuk kemi moralin dhe entuziazmin siç ka qenë pas ndeshjes me Tiranën. Ndërkohë që ne do të futemi në fushë dhe kemi edhe Kupën e Shqipërisë alternativë dhe objektiv. Mendoj se është rezultat i vështirë për t’u përmbysur. Do hyjmë në fushë duke tentuar gjithçka për gjithçka, me ndryshimin se mendoj se nuk do të gabojmë si sot”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës, Gugash Magani. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.