Magani: Pas golit skuadra reagoi, por nuk krijuam raste

0
SHPËRNDAJE

gugash-maganiTrajneri i Teutës, Gugash Magani, pas ndeshjes me Partizanin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Sokol Xhihani, ka pranuar se kundër Partizanit skuadra e tij nuk bëri shumë për të merituar pikë dhe ka paralajmëruar ndryshime në janar.

“Duke pasur parasysh rivalin që kishim përballë, nuk mund të luanim në sulm, pasi dihet forca e Partizanit. E kontrolluam mirë kundërshtarin, por nuk bëmë shumë në sulm, ndërsa pas golit të pësuar skuadra reagoi, por nuk krijuam shumë raste.

“Nuk kemi kohë, duhet të reagojmë urgjentisht, pasi situata është vërtet e ndërlikuar. Kishim edhe shumë mungesa për ndeshjen e sotme dhe ndeshjet po ikin një nga një, duhen pikë.

“Mbijetesa është një diskutim serioz, Teuta nuk është aty ku duhet dhe pikët janë ato që largojnë trysninë. Pikërisht pikët janë ato që i duhen kësaj skuadre, por për hir të vërtetës duhen edhe përforcime dhe presidenti Hasanbelliu është dakord që të ndërhyjmë në janar.

“Kalendari ka qenë i vështirë në fakt, por nuk ka justifikime, duhen pikë në çdo ndeshje. Që mesjavën e ardhshme luajmë një finale të vërtetë, sepse presim Flamurtarin dhe na duhet patjetër fitorja.

“Formacioni? Disa lojtarë nuk janë në formën e duhur fizike, sot edhe Çmajçanin u dëmtua, ndaj duhet kohë. Unë nuk kam shkopin magjik, thjesht duhet të punojmë, për të ndalë nga ky batak, i pazakontë për Teutën.

Çfarë nuk shkon te Teuta? Mendoj se mungon siguria, lojtarët nuk janë të qetë dhe nuk marrin përgjegjësi sa duhet. Nuk mendoj se është mungesë agresiviteti meqë nuk morëm kartonë, por ana psikologjike është kryesorja për paraqitjen në fushë, ndaj puna ime është që të motivoj si duhet dhe të marrë maksimumin nga lojtarët. Gjithashtu, nuk duhet harruar që ka edhe humbje të thella dhe duhen evituar patjetër, kur nuk është e mundur marrja e rezultatit pozitiv”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës, Gugash Magani. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.