Mario Capeçe: Alban Hoxha titullar në Kombëtaren e Shqipërisë

0
SHPËRNDAJE

Mario Capeçe është një prej emrave më të rëndësishëm të Partizanit, njeriu që punon shumë, teksa dora e tij ndihet në rritjen e rendimentit të skuadrës. Përgatitësi i portierëve është bashkuar me stafin e klubit të kuq që në janarin e vitit 2016 dhe është ai njeriu kryesor përgjegjës për sigurinë që duhet të ofrojnë gardianët e Partizanit në katërkëndësh.

Në një intervistë dhënë për SuperSport, Capeçe ndalet gjatë te eksperienca shqiptare, puna me Partizanin, por edhe te ndeshja derbi dhe ecuria e Alban Hoxhës. Fillimisht ai kujdeset të theksojë se Kategoria Superiore duhet të afrojë sa më shumë të rinj nga fidanishtet e skuadrave pasi talenti nuk mungon.

“Në Superligën Shqiptare ka portierë shumë të mirë por unë jam i lumtur me tre portierët që trajnoj te Partizani sepse janë atletë dhe njerëz pozitivë. Dua të veçoj atë të Laçit, Selmani, por nuk duhet të harrojmë portierin e Lazio, Strakosha dhe portierin e Akademisë së Partizanit, Dajsinani që ka shumë cilësi.

Ashtu siç Shqipëria është rritur në nivelin e Kombëtares, mund ta bëjë shumë mirë edhe në rang klubesh por duhet edhe pak kohë. Duhet të vazhdoni në këtë rrugë, të rrisni talentet që keni në vendin tuaj dhe të evitoni mësymjen e të huajve”.

Gjatë viteve të fundit është përfolur shumë për një largim të mundshëm të portierit të të kuqve, Alban Hoxha në një kampionat më të fortë dhe Capeçe nuk ka asnjë dyshim që “gardiani” i i Kombëtares Shqiptare është në lartësinë e duhur për të hapur një kapitull të ri.

“Mendoj se ka ardhur momenti që Hoxha të përballet me një eksperiencë të re sepse e meriton për atë që ka bërë këtu dhe ai ka nevojë për një gjë të tillë. Ndoshta ky është momenti i duhur që ai të tregojë aftësitë e tij në një kampionat më të fortë dhe të ndjekur.

Partizani ka dy portierë të tjerë si Xhika dhe Dajsinani, dhe ne nuk jemi aspak të trembur nëse Hoxha largohet kemi edhe dy portierë të tjerë të gatshëm”.

Në vijim të intervistës ai shton se shpreson që Hoxha të luajë titullar në ndeshjen e Palermos kundër Italisë.

“Shpresoj që Albani të luajë titullar në ndeshjen Itali-Shqipëri. Hierarkitë janë të qarta, ai ka qenë aty, dikur portier i tretë dhe tani i dytë dhe besoj se duhet të luajë ai.

Është e vërtetë që Strakosha po gjen hapësira te Lazio por në portë ke nevojë për një emër që luan 70-80 ndeshje rresht siç po bën Hoxha, por gjithsesi e përsëris se shpresoj që hierarkia të respektohet. Besoj se e meriton këtë mundësi pas shumë viteve sakrifica”.

Derbi i fituar por me një peng për trajnerin e portierëve të Partizanit, Capeçe. Ndoshta mungesa e përqëndrimit të numrit 1 sjelli golin e barazimit të përkohshëm të Tiranës, por trajneri i portierëve të Partizanit thekson se rendimenti i portierit nuk matet vetëm nga një ndeshje.

“Derbi ndaj Tiranës është shumë i bukur, më ka bërë përshtypje entuziazmi. Ne kemi tifozë pasionantë që na qëndrojnë shumë pranë.

Fituam një ndeshje të rëndësishme që mund të harrohet shpejt nëse nuk bëjmë të njëjtën gjë edhe ndaj Kukësit në “Zeqir Ymeri”. Partizani nuk duhet të kufizohet vetëm te derbi ndaj Tiranës por duhet të fitojë edhe kampionatin sepse e meriton qyteti i Tiranës, presidenti Gazment Demi dhe tifozët.

Hoxha gabon shumë pak dhe në rastin e golit të pësuar ndoshta pati një problem në leximin taktik të atij momenti por duhet ta analizojë sërish. Një portier si ai duhet të gjykohet nga ajo që ka dhënë deri tani”.

Në fund të intervistës, Capeçe ndihet i lumtur në Tiranë dhe ai nuk përjashton mundësinë që të vazhdojë punën në klubin e kuq edhe përtej këtij sezoni.

“A do të vazhdoj të qëndroj? Pyetje e bukur, por fillimisht duhet të mendojmë për të fituar dhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë, presidenti Gazment Demi mund të marrë vendmimin për të ndryshuar trajner portierësh. Unë jam i lumtur sepse punoj që prej më shumë se një viti dhe nëse do të qëndroj do të vazhdoj të ndihem mirë, por në të kundër do t’i falënderoj sepse po ia kaloj shumë mirë me të gjithë në klub”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i portierëve të Partizanit, Mario Capeçe. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.