Marku: Flamurtari i vështirë por edhe Vllaznia do fitoren

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Përgatitjet për ndeshjen e rradhës me Flamurtarin kanë mbaruar në kampin e Vllaznisë dhe tashmë çdo gjë duket gati. Seanca e mesditës së sotme ka qenë e fundit përpara se ekipi të niset për në Vlorë dhe para gazetarëve këtë herë në konferencën për shtyp, është paraqitur mbrojtësi Antonio Marku i cili e ka konsideruar këtë takim si shumë të vështirë por jo të pakalueshëm.

“Përballjet e Vllaznisë me Flamurtarin gjithmonë janë pritur me interes nga tifozëritë e të dy ekipeve por edhe më gjerë sepse janë dy skuadra me shumë emër. I tillë besoj se do të jetë edhe takimi i nesërm, i vështirë për të dy ekipet. Ne besoj se po kalojmë një moment të mirë, kjo e konfirmuar edhe me barazimin ndaj Partizanit, skuadra ka moralin e duhur dhe për këtë arsye, do të hyjmë në fushën e lojës me objektivin e vetëm për të marrë fitoren. Flamurtari këto kohët e fundit ka patur shumë probleme dhe ndoshta dikush mendon se Vllaznia do ta ketë të lehtë për të fituar por kurrsesi nuk e mendojmë kështu këtë ndeshje. Përkundrazi, vlonjatët edhe pas 6 pikëve që u kanë hequr, e konsiderojnë këtë takim “për jetë apo vdekje” megjithatë kjo nuk do të thotë se ne duhet të tolerojmë por përkundrazi duhet të jemi shumë të motivuar për të kërkuar fitoren me çdo kusht”.

Marku gjatë këtij sezoni ka qenë përgjithësisht i pafat sepse dëmtimet e herë pas hershme i kanë privuar mundësinë të luajë në disa takime. Këtë gjë e thotë edhe vetë ai kur për gazetarët shprehet se ka kaluar një periudhë jo fort pozitive.

“Kam kaluar një periudhë jo të mirë shoqëruar me disa dëmtime megjithatë ato nuk i kemi në dorë. E rëndësishme është si i përballojmë ato dhe po punoj fort çdo ditë për të kapur formën time më të mirë sportive sepse dëmtimet normal që kanë patur ndikimin e vet tek ajo”.

Vllaznia në Kampionat lufton për të ruajtur vendin e pestë në renditje për momentin ndërkohë që krejt ndryshe janë objektivat në Kupë, ku për momentin është në çerekfinale dhe natyrshëm që do të kërkojë të shkojë edhe më tej. Këtë gjë e pranon edhe mbrojtësi i majtë i saj, Marku kur thotë se ecuria e mirë që kanë bërë deri më tani i ka motivuar edhe më shumë.

“Kupa sigurisht që është një aspekt i rëndësishëm i punës sonë. Kemi ecur mirë deri tani por mund të ecim edhe më tej duke pasur parasysh edhe shortin. Ne duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë në kampionat në mënyrë që të jemi sa më të qetë për vazhdimësinë e tij dhe pse jo, pastaj të fokusohemi tek Kupa ku patjetër do të tentojmë të shkojmë sa më larg”.

Takimi Flamurtari-Vllaznia luhet ditën e nesërme në orën 18:00 në stadiumin “Flamurtari” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në SuperSport. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.