Mavraj, lideri i ri i mbrojtjes së Hamburgut

0
SHPËRNDAJE


I kanë mjaftuar vetëm 4 ndeshje për të fituar zemrat e tifozëve të tij të rinj. Pasi shkëlqeu me Kolnin në fazën e parë të kampionatit, duke u përfshirë nga faqja zyrtare e Bundesligës në 11-shen më të mirë të pjesës së parë të sezonit, Mërgim Mavraj menjëherë ka marrë në dorë celësat e mbrojtjes së Hamburgut. Në 2 ndeshjet e para të këtij viti, skuadra nga Veriu i Gjermanisë pësoi 2 humbje, ndaj Wolfsburgut dhe Ingolstadt-it, por jo për faj të Mavrajt i cili në 2 takimet e fundit është shfaqur si një lider i vërtetë në prapavijën e Hamburgut, duke i dhënë qetësinë e nevojshme ekipit.

Trajneri Marcus Gisdol tashmë e ka të pamundur të privohet nga shërbimet e kuqeziut i cili ishte një nga të më të mirët në fushë për Hamburgun në suksesin që arriti ndaj Kolnit me shifrat 2-0 në raundin e 1/8-ave të Kupës së Gjermanisë. Fitorja ndaj Leverkusenit në kampionat u pasua nga një tjetër sukses shumë të rëndësishëm, me Hamburgun që nuk pësoi gol për të dytën ndeshje radhazi. Mavraj ia doli të triumfonte ndaj ish skuadrës së tij dhe tashmë dëshira e mbrojtësit është të vazhdojë me këto ritme në mënyrë që të jetë në 100% të formës edhe për sfidën e muajit Mars ndaj Italisë në Palermo.

Mediat gjermane e vlerësuan maksimalisht paraqitjen e shtatlartit shqiptar i cili nga ndeshja në ndeshje po tregon se është një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Paraqitjet e tij në fushë për pjesën e parë të sezonit i shijuan tifozët e Koln-it ndërsa tashmë është rradha e atyre të Hamburgut për t’iu gëzuar klasit të Mërgim Mavrajt.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.