Mavraj: Refuzova Gallatasarajin, ndjesë tifozëve për Izraelin

0
SHPËRNDAJE

Dëmtimi i rëndë në gju dhe një ndërhyrje kirurgjikale janë të vështira për t’u rikuperuar për një futbollist 30-vjeçar. Megjithatë, Mërgim Mavraj i befasoi të gjithë kur u rikthye në fushën e lojës pesë muaj pasi ishte operuar në gju. Tani, në mbyllje të vitit 2016, ai mund të konsiderohet mbrojtësi më i ri i Hamburgut, edhe pse nuk ka nënshkruar ende një kontratë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mavraj tregon arsyen pse zgjodhi të refuzonte disa oferta të tjera dhe të bashkohej me skuadrën tjetër të Bundesligës.

mavraj

Futbollisti kuqezi rrëfen edhe objektivin që duhet të ketë Shqipëria, arsyen pse erdhi ajo humbje me Izraelin si dhe sulmuesin më të vështirë me të cilin është përballur gjatë karrierës së tij.

Sa i përket ekipit të ri, ai pranon tratativën e nisur dhe konfirmon se firma do të vijë brenda ditëve të ardhshme. Mbrojtësi i Kombëtares ka një ndjesë për tifozët shqiptarë si dhe tregon stimulin e ri që e bën të qëndrojë gjithmonë në formë dhe në kërkim të maksimumit të mundshëm. “Mënyra se si shkuan bisedimet dhe mënyra se si luftoi e tentoi Hamburgu që unë të bëhesha lojtar i tyre. Gjithashtu, edhe për rolin që do të marr në këtë skuadër, ishin arsyet që më bënë të vendos për të luajtur me ta në të ardhmen”, tregon ndër të tjera Mavraj.

mavraj levandovski

Keni kryer vizitat mjekësore me Hamburgun, por mediat gjermane tregojnë se nuk është hedhur ende firma mbi kontratë…

Po, është e vërtetë. Jam takuar me drejtuesit e Hamburgut dhe kemi diskutuar. Gjithashtu, kam kryer edhe testet mjekësore, por ende nuk kam firmosur. Besoj që në fillim të javës do të ketë diçka të re.

Në media është përfolur edhe një ofertë shumë e rëndësishme nga Turqia…

Po, ishte Gallatasaraji dhe Hamburgu që shprehën interesim për mua.

Çfarë ju bëri që ta refuzoni një ekip si Gallatasaraji dhe të zgjidhni Hamburgun?

Mënyra se si shkuan bisedimet dhe mënyra se si luftoi e tentoi Hamburgu që unë të bëhesha lojtar i tyre. Gjithashtu, edhe për rolin që do të marr në këtë skuadër, ishin arsyet që më bënë të vendos për të luajtur me të në të ardhmen.

Çfarë roli?

Do të jem rregullues i repartit tim.

Para disa javësh, në mediat gjermane deklaruat se bisedimet me Këlnin për rinovimin po shkonin mirë. Çfarë mungoi që nuk rinovuat?

Jo, nuk kam thënë ekzaktësisht këtë. Kam thënë që e ndiej veten mirë në atë ekip dhe mund të rri edhe disa vite. Mirëpo, pas ofertës së Hamburgut, shumë shpejt u kuptua që kapitulli i Këlnit është i mbyllur.

Mavraj skeda

Shumë nga lojtarët e Këlnit kanë mbetur të surprizuar nga largimi juaj. Çfarë ju kanë thënë?

Janë surprizuar të gjithë. Në fakt, edhe unë vetë (qesh). Edhe unë jam befasuar që Këlni më lejoi të largohesha. Mund të them që jemi mërzitur të gjithë, sepse kemi kaluar shumë mirë me njëri-tjetrin.

Sa u përket shifrave, për t’i saktësuar…

Shifrat për mua nuk kanë rëndësi. Mënyra e punës dhe roli që të jepet në një ekip është paga më e shtrenjtë për mua. Sa u përket shifrave të Këlnit në lidhje me kartonin tim, nuk e di se sa do të përfitojë.

Si e konsideron vitin 2016?

Po them vetëm që pas disa vitesh vështirësie, falë Zotit më erdhi lehtësimi.

Cili është momenti më i bukur i këtij viti për ju?

Çdo moment pranë mamasë sime.

Jeni shpallur disa herë në formacionin e javës në Bundesligë dhe jeni favorit kryesor për në formacionin e vitit. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe karrierën tuaj?

Është vlerësim shumë i madh për mua. Megjithatë, unë e kam ditur gjithmonë se i kam cilësitë për të arritur këtë. Nuk u dorëzova kurrë dhe ia dola. Kjo gjë më motivon edhe më shumë që të arrij vlerësime të tilla edhe më shpesh në vazhdim.

Mavraj vs Pizarro

Jeni ndeshurme shumë skuadra të mëdha, si me kombëtaren, ashtu edhe me Këlnin. Kush ka qenë sulmuesi më i vështirë që jeni përballur?

Po jua them pa shpjeguar, Klaudio Pixarro.

Për të kaluar te Kombëtarja… Shqipëria e mbylli këtë vit me atë humbje ndaj Izraelit. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndodhi që erdhi ajo humbje e rëndë?

Politika izraelite na bëri atë që ndodhi. Me këtë nuk dua të them që ne si skuadër jemi pa faj. Ne si lojtarë kemi përgjegjësi për ato që ndodhën gjatë ndeshjes. Megjithatë, u krijua një atmosferë e zymtë që edhe vëllezërit tanë, që donin të na mbështesnin nga afër, janë trajtuar sikur nuk ishin njerëz. Më lejoni që t’u kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve tanë për këtë gjë.

Mavraj Kombetare

Në këtë fazë të kualifikueseve dhe duke parë ekipet kundërshtare si dhe renditjen, cili duhet të jetë objektivi i Shqipërisë?

Për mendimin tim, gjëja më kryesore dhe që mund të cilësohet edhe si objektivi ynë është që të rifitojmë besimin e njerëzve sërish dhe të bëjmë edhe një herë që populli ynë të krenohet me ne.

OLSI TUJANI

(Panorama Sport)

S'KA KOMENTE

Comments are closed.