Mazreku-Bellova-Këlliçi … Ikonat e mikrofonit sportiv shqiptar

0
SHPËRNDAJE

12036444_1637668676487106_5900743886266699417_n
Anton Mazreku

Kam qenë me pushime tek daja im ne Golem atë verë të nxehtë të korrikut 1969, kur përmes gazetës së vetme sportive që kishte Shqipëria atëherë, ”Sporti Popullor ”, mësova lajmin e vdekjes së të madhit e të pavdekshmit Anton Mazreku. Isha ende femijë dhe në bankat e shkollës kur ai zëri i tij magjepsës, përmes një elokuence brilante e një të folure shqip që të detyronte ta dashuroje këtë gjuhë nga fuqia e shpirtit, na pat rrëmbyer zemrat e na pat magjepsur të gjithë neve, dashamirësve të zjarrtë të lojës së futbollit.

Në mikrofon Anton Mazreku. Kaq duhej e ne rrinim mbërthyer pas radios, a thua se ai për një çast do dilte prej saj. Lindi në Shkodër në 8 Maj 1908 në një familje patriotike e me tradita qytetare. Ishte nip i atdhetarit të madh shqiptar, një prej figurave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, Luigj Gurakuqit. Pas shkollës fillore në qytetin e tij të lindjes, Mazreku niset për studime në Austri.

Ishte vetëm 17 vjeç kur nis e boton shkrimet e para në gazetën sportive të kohës së Palok Nikës e Musa Koplikut, Gazeta Sporti. Më 1935, së bashku me Luigj Shalën e Aqif Dominin, do të themelonte gazetën e famshme të kohës, Sporti Shqiptar, ku do të ishte kryeredaktor e drejtor i saj për vite me rradhë.

E pikërisht në atë 1 Shtator të largët të vitit 1938, aty te fusha e Shallvareve, në takimin S.K Tirana – Iraklis Kavalla 7-0, Mazreku do ti çudiste por edhe do ti lumturonte bashkatdhetarët e tij teksa bënte të parin transmetim të një ndeshjeje sportive në mikrofonin e Radio Tiranës.

1 shtatori 1938, i pari transmetim radiofonik i drejteperdrejte ne Radio Tirana. SK Tirana-Iraklis 7-0
1 shtator 1938, i pari transmetim radiofonik i drejtëpërdrejtë në Radio Tirana. SK Tirana-Iraklis 7-0 (Foto: Bektash Pojani)

Këtu zë udhë historia e transmetimeve shqiptare të futbollit në mikrofon. Vite më vonë, Mazreku i rrallë do të ishte edhe kryetar i Federatës Sportive Shqiptare, n/kryetar i Komitetit tonë Olimpik Kombëtar, si dhe nr. 2 i vetë FSHF-së dhe përfaqësues tepër dinjitoz i sa e sa delegacioneve tona sportive në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare.

Veç aktivitetit sportiv, Mazreku ishte një gazetar, komentator, shkrimtar, përkthyes e poet i mrekullueshem dhe unikal në llojin e tij, gati i papërsëritshëm. U largua nga kjo botë në moshën 61 vjeçare, në kulmin e jetës së tij kur kishte ende shumë për të thënë e për ti dhënë vendit të tij. Në nderim të figurës së tij, që prej mesviteve ’90 është krijuar çmimi i veçantë i gazetarisë sportive shqiptare ”Anton Mazreku”, ku autori i këtyre rradhëve është ndër pjesëmarrësit/themelues të këtij çmimi në Shkodrën e tij të dashur gati dy dekada më parë.

E ruaj si kujtim të shtrenjtë të jetës e karrierës time faktin që atë natë, i autorizuar nga Profesor Bellova i cili nuk ishte prezent për arsye shëndetësore, kam lexuar përshendetjen e tij prekëse drejtuar Shoqatës Sportive që sapo krijohej e që mbante emrin e ikonës, Anton Mazreku. Ai ishte e mbetet me të drejtë figura më e madhe dhe më e respektuar e mikrofonit tonë sportiv e ndaj me të drejtë është cilësuar e vlerësuar si babai i tij.

Bellova
Ismet Bellova

Ismet Bellova u bë trashëguesi më besnik e dinjitoz i bilbilit shkodran Mazreku. Që nga ai vit i largët 1950 kur Bellova ishte vetëm 16 vjeç e Mazreku do ta ftonte për pak minuta të komentonte në mikrofonin e tij, kanë kaluar më shumë se 6 dekada. E sot ai rregjistron më shumë se 64 vjet në mikrofonin sportiv. E rrallë, tepër unikale dhe një histori emocionuese dhe e denjë për librin e rekordeve Guiness.

“Ka qenë ndeshja finale e Kupës së Republikës, Partizani – Dinamo 0-1 me 1950”, – më tregonte i madhi Bellova, “kur mjeshtri me shumë xhentilesë më ofroi për 10 minuta të komentoja në mikrofon pjesë nga ajo ndeshje emocionuese”. E që nga ai çast Bellova nuk mund ta kuptonte ndryshe jetën e tij pa mikrofonin ashtu sikurse mikrofoni nuk mund të kishte dot atë lloj bukurie pa zërin e tij sa të veçantë, po aq edhe karakteristik.

Ishte arsimuar në shkollën e Fiskulturës e ishte marrë me sporte të ndryshme krahas të mëdhenjve të mëpasëm të sportit tonë, Petrit Murzaku, Vangjel Koja, Andon Kona etj. Sporti ishte bërë jeta e tij e përditshme. Ka transmetuar mbi 5,000 ndeshje futbolli e që sërish kam frikë se kjo shifër nuk është plotësisht e saktë duke marrë për bazë vitet e pambarimta të tij në mikrofon.

Një zë elokuent ku emocioni ndërthurej aq bukur me krahasimet e figurat artistike të përdorura prej tij me aq lezet e që vështirë se shlyhen kollaj nga kujtesa për vite e vite me rradhë. E kush nuk ka kaluar përmes ”filtrit Bellova” në morinë e mijëra ndeshjeve futbolli të aktiviteteve tona kombëtare e ndërkombëtare. Sidoqoftë për të, takime të tilla si ato me Gjermaninë, Irlandën e Veriut, Danimarkën, Belgjikën, Greqinë, Rusinë etj. apo edhe ato në Kupat e Europës të ekipeve tona ndaj Këlnit, Torinos, Norçepingut, Sëlltikut, Kilmarnokut, Standard Liezhit, Ajaksit, Bajern Mynihut, Parmës, etj mbeten ndër më të bukurat kujtime të profesorit të dashur e të respektuar nga të gjithë.

12019791_1637668679820439_3125055748882018962_n

Mësues i edukimit fizik për vite me rradhë, bashkëshort i një prej figurave më të respektuara të basketbollit tonë të femrave, Bukuroshe Shtizës (Bellova) si dhe baba i 4 djemve të respektuar, Sokolit, Edit, Arminit e Enit; Ismet Bellova i ka dhënë shumë jetë familjes së tij të dashur.

Sokoli për vite me rradhë ka qenë basketbollist model i Dinamos e ekipit tonë Kombëtar. Profesor Ismet Bellova kujtohet e respektohet edhe për kontributin e tij të madh dhënë si Mësues i Edukimit Fizik për vite me rradhë në shkollën Skënderbej, në Politeknikumin 7 Nëntori, e deri sa doli në pension në një prej katedrave shkencore të ILKF-së.

Me profesorin e familjen e tij më lidh një miqësi shumë e gjatë, e ngrohtë dhe e sinqertë familjare. I jam tepër mirënjohës nga thellësia e zemrës për gjithçka bëri me aq pasion e durim për të më dhënë drejtimin e duhur në botën e madhe të sportit, ç’ka ndikoi shumë në karrierën time të mëvonshme në fushën e bukur të gazetarisë e mikrofonit sportiv.

Skifter Këlliçi është një prej figurave më interesante e intriguese të gazetarisë e mikrofonit sportiv shqiptar. Pasionant, i kulturuar e i nxënë me kulture e dije si rrallëkush. Një qytetar tiranas i shkartisur me pak shkodranllëk që të jep kënaqësi të qëndrosh me të e të bisedosh deri në pangopësi për sportin, artin, kulturën e përtej tyre, aktiv si dikur në rininë e tij edhe sot 77 vjeçar e tek ka 13 vjet që atdhe të dytë tashmë konsideron Amerikën teksa jeton në Boston bashkë me familjen e tij.

Jam me fat që kam qenë e jam një ndër miqtë më të sinqertë e të afërt të Skifterit e Natashës prej vitesh, të cilët më kanë dhënë gjithnjë e në momente deçizive njerzillëkun, përvojën, e mençurinë e tyre për të qenë ndoshta me shumë modesti kaq i kompletuar në fushën e letrave sa ç’mendoj se jam sot. Ndaj u jam vërtet mirënjohës.

12046730_1637668683153772_5486831615283390961_n
Skifter Këlliçi

Gazetar, komentator, shkrimtar, skenarist, njeri i botës së penës e mikrofonit i një lloji unikal, i ditur, euridit në plot kuptimin e fjalës. Autor i mbi 25 librave me tematikë të gjerë dhe të larmishme. Skenarist i disa filmave historiko- sportivë, botues i të parave Histori Futbolli Kombëtare e Botërore në gjuhën shqipe, e mbi të gjitha themelues i së parës Rubrikë Sportive në Radio Tirana qysh më 1960, e 10 vite më pas edhe në TVSH.

Mjeshtër i fjalës, i krahasimit e i një elokuence brilante, dijetar i vërtetë i historisë së sportit tonë kombëtar e futbollit botëror. Autor i qindra e qindra artikujve, shkrimeve e komenteve që evolojnë e pasqyrojnë tabllone gati një shekullore të sportit shqiptar e të figurave e personazheve të tij të dores së parë.

Një pasionant i rrallë me një zë karakteristik e tepër i dashur e i respektuar në mikrofonin sportiv shqiptar për dekada me rradhë, duke sjellë vazhdimisht risi e duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e tij, edhe përtej kurtheve, komploteve e grackave të pista e politike të cmirzinjve të shumtë që e rrethonin atë dhe vetë këtë profesion të bukur, të nderuar e të respektuar prej gjithkujt.

E tek hodha këto rradhë për këta kollosë të gazetarisë e mikrofonit tonë sportiv, këto ikona natyrisht janë maja e ajsbergut e veprimtarisë së tyre kolosale në shërbim të vendit, nuk mund të rrija pa i krahasuar me të mëdhenjte e zanatit të tyre përtej detit, Enricco Ameri, Sandro Chiotti e Nando Martelini. Kurdoherë më kanë ngjasuar të tillë për nga pasioni, dijet e përkushtimi i tyre, ndaj i kam dashur e i kam respektuar por edhe më fort akoma se ishin ikona të vendit tim. Ata ishin e mbeten artistë të mikrofonit dhe oratorë të rrallë të tij.

Në fund një përshëndetje shkon edhe drejt kolegëve e miqve bashkëpunues për vite me rradhë e që u bënë pasues të denjë të mikrofonit tonë sportiv, duke e vazhduar e çuar më tej traditën e të mëdhenjve të mësipërm por edhe si një homazh njerëzor e mirënjohje atyre që tashmë nuk janë më fizikisht pranë nesh.

Respekte për punën, përkushtimin e pasionin F. Fico, V. Rada, Y. Striniqi, S. Allkja, V. Grillo, Y. Kurti, A. Gjergo, B. Qesja, F. Efica, M.Dalipi, A. Shqarri, P. Ruvina, F. Mneri, Sh. Gjoshi, Rr. Preçi, S. Kikija, A. Kaja, M. Mbriçaj, A. Emiri, G. Marku, D. Methasani, K. Grillo etj. e të gjthë atyre që janë në aktivitet e sipër.

Sidoqoftë, ne që e provuam përgjegjësinë por dhe emocionin e kënaqësinë që të jep pena e mikrofoni sportiv, e që patëm fatin të jemi bashkëkohës të treshes së madhe Mazreku-Bellova-Këlliçi, e fatmirësisht edhe bashkëpunëtorë e kolegë të tyre për jo pak kohë, kemi të drejtë të krenohemi e tu themi me plot gojën Faleminderit për gjithçka bëtë për vendin tuaj si dhe për gjithë ato emocione të rralla që na dhuruat për dekada me rradhë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.