Me paratë vijnë edhe pikët, Flamurtari fiton në Durrës

0
SHPËRNDAJE

minuta-14Festë e dyfishtë në pak orë…

Flamurtari ka marrë sot pasdite lajmin se pagat e prapambetura më në fund kanë kaluar në llogaritë e lojtarëve dhe menjëherë ka ardhur një reagim fenomenal. Fitore 2-1 në Durrës ndaj Teutës, me një përmbysje fantastike, ku durrsakët pësuan disfatën e radhës.

Pa titullarë të rëndësishëm, si Zeqiri dhe Veliu për shembull, Flamurtari shkonte tërë frikë në Durrës, përballë ish-trajnerit Gugash Magani.

Teuta gjithashtu kishte nevojë urgjente për pikë dhe ndeshja u luajt me ritëm të ulët në pjesën e parë, me dy skuadra të trembura.

Megjithatë, në fundin e pjesës së parë Andi Ribaj gjeti golin e Teutës dhe u duk se Flamurtarin e “mori lumi”.

E kundërta, sepse në pjesën e dytë gradualisht kuqezinjtë e shtuan ritmin dhe “Djemtë e Detit” nuk e përballuan presionin, ndërsa në minutën e 71-të goditi sulmuesi Galiç, me golin e tretë sezonal.

Aq u desh që Flamurtari të merrte zjarr, me kapitenin Telushi që mori për dore skuadrën dhe krijoi golin e fitores, kur një kros i tij në zonë u devijua në rrjetë nga një tjetër vlonjat, por kundërshtar, Shpëtim Moçka.

Asgjë në vazhdim dhe Flamurtari merr 3 pikë të arta, ndërsa Teuta zhytet në fund.

Kërcënimi i parë vjen nga vendasit e Teutës. Gripshi kroson nga e djathta, aty Musta i shpëton mbulimit të mbrojtësit Beqaj, por, i vetëm para portës gjuan keq dhe Frashëri pret pa problem. Një rast i artë i dërguar dëm nga Teuta.

Deri në të 33-tën janë minuta të qeta, me lojë konfuze. Asnjëra prej skuadrave nuk arrin të vërë në vështirësi tjetrën, me Teutën që përpiqet ta zhvendosë lojën në gjysmëfushën kundërshtare, megjithatë e vetmja mënyrë për t’iu afruar portës së portierit Frashëri janë goditjet e lira, por edhe me Flamurtarin që është e pafuqishme për t’i bërë keq durrsakëve.

Në të 33-tën, Kotobelli provon me një të majtë fluturimthi nga hyrja e zonës, por gjuajtja e mbrojtësit është krejtësisht për t’u harruar.

Minuta e 39-të dhe Teuta kalon në avantazh. Bangal kalon portierin Frashërin në dalje me një parabol pas një topi të marrë nga mesfusha. Në vijën fatale Andi Ribaj nuk e ka të vështira ta shtyjë në rrjetë, duke “djegur” futbollistët Berisha dhe Kuqi.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Flamurtarin që e nis këtë pjesë me synimin për të gjetur sa më parë golin e barazimit.

Në të 50-tën, vjen rasti më i mirë i ndeshjes për vlonjatët. Shkodra përfiton nga një pakujdesi e mbrojtjes vendase dhe del i vetëm përballë portierit Moçka, por gjuan jo saktë. Ndërkohë Fazliu priste i vetëm në të majtë.

Trajneri Gugash Magani aktivizon në lojë sulmuesin Eri Lamçja, ku menjëherë shfaqet i rrezikshëm, por Frashëri i vëmendshëm devijon në goditje këndi gjuajtjen e sulmuesit.

Trajneri Mezani aktivizon në lojë mesfushorin Rigers Dushku, ç’ka i jep më shumë freski në sulmin e vlonjatëve.

Minuta e 71-të dhe Flamurtari gjen barazimin. Ivan Galiç nuk fal duke devijuar në rrjetë një top të marrë nga Dushku në të majtë. Gjithçka barazohet në Durrës.

Teuta nuk pajtohet me rezultatin dhe në të 75-tën, Hila nxjerr të lirë sulmuesin Magani me një top pas shpinës së mbrojtjes vlonjate, por sulmuesi i Teutës kapet në pozicion jashtë loje.

As 11 minuta nuk kalojnë nga goli i parë dhe Flamurtari kalon në avantazh. Kapiteni Telushi hedh një top horizontal në zonë nga e majta dhe portieri Moçka në dalje gabimisht e devijon në rrjetën e tij.

Deri në fund, Flamurtari administron shumë mirë avantazhin.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Teutën që vijon krizën e rezultateve, ndërsa Flamurtari merr një 3-pikësh mjaft të vlefshëm.

Me këtë sukses vlonjatët ngjiten në kuotën e 10 pikëve, kurse Teuta mbetet e parafundit me 8.

Javën e ardhshme, Teuta luan me Korabin në “Selman Stërmasi”, ndërsa pret në shtëpi Tiranën. /minuta90.com/

Teuta-Flamurtari 1-2

Golat: Ribaj 39’/ Galiç 71’, Telushi 82’

Teuta: Moçka, Shehi, R. Hoxha, Hila, Kotobelli, Rashica, Gripshi, Çmajçanin, Musta (Çyrbja 68’), Ribaj (Magani 74’), Bangal (në dispozicion: Shala, Shkalla, E. Hoxha, Borshi) Tr: Gugash Magani

Flamurtari: Frashëri, Beqaj, Berisha, Kuqi, Rniç, Fazliu (Dushku 67’), Shkodra (Idrizaj 88’), Telushi, Galiç (Gjinaj 90’+4), Shehaj, Alves (në dispozicion: Qirko, Marku, Veliu, Hoxhaj) Tr: Gentian Mezani

Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Ridiger Çokaj, Paulin Simoni, Olsid Ferataj

Kartonë të verdhë: Çyrbja 80’, Hila 83’/ Beqaj 54’, Telushi 73’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.