Memushaj: Fitojmë në Izrael dhe largojmë krizën

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Kombëtarja vijon përgatitjet në Turqi, në kuadrin e ndeshjes eliminatore kundër Izraelit, në fushën e këtij të fundit. Trajneri De Biazi po implementon strategjinë e tij taktike, me të cilën do të synojë të marrë pikë në këtë transfertë delikate. Në një konferencë për shtyp ka dalë Ledjan Memushaj, mesfushori ynë kuqezi, i cili ka nënvizuar ndër të tjera:
Nuk isha vetëm unë i mërzitur pas humbjes në Luksemburg, por i tërë ekipi. Nuk është se kemi bërë ndonjë figurë të bukur në këtë miqësore, sidomos sa i përket rezultatit. Kur humbet me Luksemburgun, normal, çdo gjë ngjan tragjike. Tani duhet ta heqim nga mendja dhe të mendojmë vetëm për Izraelin. Ajo është ndeshja më e rëndësishme. Më mirë që ndodhi në miqësore me Luksemburgun se sa të ndodhte me Izraelin. Kemi shumë ndeshje që po humbasim si kombëtare, ndaj isha shumë i mërzitur. Të rikuperojmë të gjitha forcat, fizike dhe mentale, për sfidën që na pret përpara. Ky është një moment delikat, fundi i sezonit dhe lojtarët janë të lodhur. Me rezultate, ky është momenti më negativ i imi në kombëtare. Dhe të mendosh se para një viti ishim duke luajtur në Europian, ndërsa tani s’po e gjejmë dot veten.

Një fitore me Izraelin dhe pastaj nuk flet me njeri për krizë. Si grup lojtarësh, edhe në cilësi, jemi më mirë se Izraeli, por duhet ta tregojmë në fushë. Trajneri? Ka një vit që flitet, se De Biazi do të largohet. Por, ai është akoma këtu, me ne. Këto nuk janë gjëra që nuk na interesojnë neve, lojtarëve. Trajneri kurrë s’ka folur për këtë me ne, kurrë s’ka thënë se do të ikë. De Biazi ka treguar se do të rrijë këtu, se është i kënaqur, ndaj nuk e di pse dalin kësi gjërash, se do të ikë. E ardhmja ime? Me pushime, javën tjetër i filloj. E mira është të fitojmë me kombëtaren dhe t’i qetësojmë të gjitha gjërat. Ka kohë për të vendosur se ku do të luaj sezonin e ri.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.