Merkato me shkodranë, Gilman Lika drejt Vllaznisë

0
SHPËRNDAJE

Ashtu si për shumicën e skuadrave flitet shumë për merkaton, edhe te Vllaznia në këtë periudhë kanë nisur të qarkullojnë emra të shumtë. Ka emra që lakohen për largime të mundshme, por në të njëjtën kohë edhe për afrime te kuqeblutë.

Në pjesen e të larguarve janë kontigjenti i futbollistëve të huaj, siç janë dy malazezët Jasmin Agoviç dhe Stefan Cicmil, dyshe kjo e konfirmuar si e larguar shumë javë përpara mbylljes së kampionatit. Po kështu, të sigurta janë largimet e mesfushorit Elis Bakaj dhe sulmuesit Brunild Pepa, ndërkohë që për mbrojtësin Endri Vrapi informacionet janë disi më të rezervuara, pasi mund të ketë sërish akord për vijimin e bashkëpunimit.

Në listën e afrimeve, edhe pse asgjë nuk është zyrtare, figurojnë emrat e futbollistëve shkodranë, të cilët luajtën në ekipe të tjera të kampionatit shqiptar, siç janë Erjon Vucaj, Edon Hasani, Gilman Lika, Ansi Nika, Sindrit Guri. Një listë, që do të shihet me kujdes nga stafi teknik dhe drejtuesit e klubit menjëherë pas mbledhjes-analizë të ditëve të ardhshme.

Ndërkohë që nga burime të sigurta të minuta90.com mësohet se disa prej tyre janë shumë pranë kthimit te Vllaznia dhe i pari është Gilman Lika. Mesfushori e ka mbyllur aventurën e tij te Tirana, pas rënies së kësaj skuadre në Kategorinë e Parë dhe të gjitha gjasat janë që ai ta mbyllë karrierën me fanellën kuqeblu, me të ciliën dhe e nisi karrierën e tij futbollistike.

Me kalimin e ditëve do të ketë detaje në këtë drejtim dhe Gilman Lika është ndër shkodranët e parë, që do të kthehen të luajnë në stadiumin “Loro Boriçi”. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.