Milinkoviç do “kokën e demave”: Luajmë për të fituar

0
SHPËRNDAJE

Partizani është mysafiri i Luftëtarit të shtunën, ndeshje të cilën bluzinjtë do kërkojnë ta fitojnë, por për trajnerin Mlladen Milinkoviç, edhe barazimi do të ishte pozitiv, pasi “të kuqtë” në ndeshjet e fundit kanë qenë të pamposhtur.

“Në çdo ndeshje ne luajmë për të fituar. Edhe në ndeshjen e parë kundër Partizanit e bëmë një gjë të tillë por ishim të pafat në Elbasan. Tani është një ndeshje tjetër. Ne luajmë për herë të parë në shtëpi dhe shpresoj të zhvillojmë një ndeshje pozitive për të arritur te një rezultat pozitiv. Unë nuk luaj asnjëherë për barazim por nëse do të firmosja për një pikë do të isha i kënaqur sepse Partizani në 5-6 ndeshjet e fundit nuk ka pësuar humbje, prandaj për ne një barazim mund të jetë pozitiv”, deklaron Milinkoviç në konferencën për shtyp.

Trajneri është i kënaqur me atë që ka treguar ekipi i tij gjatë fazës së parë dhe është i lumtur për punën e deritanishme.

“Deri në këto momente jam shumë i kënaqur por kjo nuk do të thotë asgjë sepse duhet të arrijmë të grumbullojmë 10 apo më shumë pikë edhe në fazën e dytë. E di shumë mirë kush jam. Për çdo trajner është një ndihmë e madhe fakti që arrin rezultate pozitive. Gjithsesi, në futboll nëse nuk arrin rezultate, opinioni ndryshon menjëherë. Shikoni trajnerin e Manchester United, Jose Mourinho ai është një trajner shumë i mirë por gjatë muajve të fundit ka shumë probleme pasi nuk arrin të marrë rezultate. Në vendin tim në Serbi, gjatë një faze një skuadër mund të ndryshojë 5-6 trajnerë. E nisëm sezonin mes shumë vështirësive. Nuk ishim në formën e duhur fizike, luajtëm jashtë shtëpisë por këta djem që kam në dispozicion kanë bërë një punë të mirë dhe unë jam shumë i lumtur për punën që kemi bërë”.

Në fund, Milinkoviç ka dhënë edhe një vlerësim për futbollin shqiptar, duke e vlerësuar ne nota pozitive.

“Mendoj se në Shqipëri ka shumë ekipe të mira me shumë talente. Shikoni Teutën, është një skuadër tërësisht me elementë të rinj. Ky fakt është pozitiv edhe për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit që gjatë viteve të fundit ka arritur rezultate shumë të mira”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Luftëtarit, Mladen Milinkoviç. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.