Milinkoviç – Luftëtari/ Vetëm gjyqi do i japi zgjidhje

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Klubi i Luftëtarit ka reaguar pas deklaratës së avokatit të trajnerit Mlladen Milinkoviç, që në “Panorama Sport” u shpreh se klienti i tij nuk ishte paguar prej 3 muajsh dhe se kishte dy premio pa marrë.

Për këtë ai tha se çështjen e kanë dërguar në FIFA, ndërkohë që theksoi se edhe stafi i tij dhe pesë futbollistë nuk ishin paguar.

Me anë të një deklarate të shpërndarë nga zyra e shtypit për mediat e shkruara, klubi i Luftëtarit ka reaguar si më poshtë:

“Trajnerit Milinkoviç, si dhe gjithë futbollistëve, në përfundim të kampionatit u është vonuar rroga e fundit mujore. Në momentin e grumbullimit të ekipit, edhe  trajnerit Milinkoviç këto para i kanë kaluar në llogarinë e tij bankare. Këto kanë qenë për vonesë procedurale dhe tashmë çdo gjë është e shlyer”.

“Trajneri Milinkoviç, kur është larguar nga Luftëtari, ka qenë i bindur për të vijuar punën, edhe pse nuk është treguar profesionist, pasi duke qenë nën kontratë me  ekipin tonë, në datën 11 qershor ka nisur kontaktet me ekipin e Partizanit. Ndërsa në datën 15 qershor ka kontaktuar me Kukësin dhe ka mbyllur marrëveshjen”.

“Klubi i futbollit Luftëtari do të vijojë të gjitha procedurat e nevojshme pranë FSHF-së, si organin e duhur në të cilën zhvillohet gara, si dhe strukturat përkatëse në UEFA dhe FIFA. Trajneri Milinkoviç si dhe përgjegjësi i tij ligjor, nuk mund të hedhin baltë mbi Luftëtarin, skuadër që e afirmoi në arenën europiane. Klubi i Luftëtarit dhe drejtuesit e tij e kanë respektuar trajnerin  Milinkoviç për punën e bërë, por s’mund të lejojnë në asnjë moment nëpërkëmbjen e tij”.

“Trajneri Milinkoviç si dhe avokati i tij afruan te Luftëtari në mes të sezonit lojtarë të dëmtuar, të cilët asnjëherë nuk e justifikuan aktivizimin e tyre. Pavarësisht gjithçkaje, këta futbollistë janë paguar rregullisht si gjithë të tjerët, duke mos u pasur asnjë detyrim financiar. Klubi i futbollit Luftëtari, në lidhje me deklaratën e përfaqësuesit ligjor të trajnerit Milinkoviç, do t’i drejtohet gjykatës me një padi për dizinformim dhe prishje të imazhit të klubit”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.