Milot Rashica në radarët e skuadrave të njohura europiane

0
SHPËRNDAJE


Milot Rashica është njëri prej futbollistëve shqiptarë më të kërkuar dhe më të përfolur të momentit. Mesfushori vushtrrias po shkëlqen në fanellën e Vitesses në Holandë dhe paraqitjet e tij mbresëlënëse u kanë rënë në sy klubeve evropiane.

Sipas uebfaqes italiane “tuttomercatoweb.com”, Evropa ka nisur të trokasë në dyert e Vitesses për ta kërkuar fenomenin e ri të klubit holandez. “Milot Rashica, Evropa dhe Serie A, të gatshme për të trokitur në derën e shtëpisë së Vitesses”, është titulli i këtij mediumi italian raporton minuta90.com.

I lindur dhe rritur në Vushtrri futbollisti kualitativ e ka nisur karrierën në klubin e futbollit Kosova e Vushtrrisë, ndërsa shpërtheu qysh në sezonin e tij të parë në Holandë.

Atë e kishte lavdëruar i pari përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, në kohën kur Miloti i kishte thënë “Po” Kuqezinjve. “Milot Rashica është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka kapacitete të mëdha dhe ka aftësi të dukshme teknike. Duhet të shikohet me kujdes sepse është një lojtar me perspektivë të madhe”, thoshte kohë më parë trajneri italian.

Lëvdata e dytë, gjithnjë për ata që e njohin, kishte ardhur nga ish-trajneri i Vitesses, Rob Maas. “Është një fitimtar i lindur, por e bën këtë në mënyrë pozitive. Është një kënaqësi ta shohësh duke luajtur”, kishte thënë ai.

Referenca të shkëlqyeshme këtu, të cilat konfirmojnë se përse disa skuadra, prej tyre edhe ato italiane, Lazio e Napoli, ia kanë vënë syrin talentit kosovar.

I lindur në vitin 1996, Miloti ishte vëzhguar me kohë nga Vitesse, e cila në verën e vitit 2015 e kishte transferuar nga Vushtrria, duke investuar 300 mijë euro për kartonin e tij.

“Është një djathtak natyral, por mund të lëvizë edhe në krahun e majtë, me një teknikë të mirë me të dyja këmbët. Një tip ‘alla Callejon’, siç thonë ata që e njohin”, shkruan ndër të tjera “tuttomercatoweb.com”. Rashica ka kontratë me Vitessen deri në vitin 2020.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.