minuta90.com sjell 11-shen më të mirë të javës

0
SHPËRNDAJE

Eshtë mbyllur të dielën java e 21-të e Superligës, ku u prodhuan ndryshime në klasifikim. minuta90.com, ashtu siç do javë tjetër sjell më të mirët e javës së 21-të.

Shkëlzen Ruçi – Ishte një ndër heronjtë e Luftëtarit në takimin ndaj Korabit, teksa portieri priti një penallti, duke ndihmuar që gjirokastritët të merrnin një fitore ndaj dibranëve.

Arbnor Fejzullahu – Ishte lojtari që spikati më shumë në ndeshjen ndaj Teutës, teksa mbrojtësi i të kuqve vërtetoi se e ka kaluar dëmtimin dhe në takimin ndaj durrsakëve, përveçse u tregua i saktë në fazën mbrojtëse, ishte shumë i vlefshëm për ekipin kur dilte në sulm, ku Fejzullahu gjatë ndeshjes, kryesisht në pjesën e parë, dha dy asiste për sulmuesin Caleb Ekuban.

Denis Pjeshka – Mbrojtësi ishte një ndër heronjtë e Vllaznisë, teksa mbrojtësi i djathtë, që prej disa ndeshjesh është përshtatur në krahun e majtë, edhe në takimin ndaj Flamurtarit ka zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer, duke e mbyllur me golin që vulosi fitoren e kuqebluve.

Vangjel Zguro – Mesfushori i majtë, që te Luftëtari po luan si mbrojtës i majtë, bëri një ndeshje të shkëlqyer, teksa pogradecari zhvilloi një takim të madh, duke mbrojtur mirë dhe sulmuar rrezikshëm.

Liridon Latifi – Skënderbeu dominoi në takimin ndaj Laçit dhe një ndeshje shumë të mirë ka bëri mesfushori, që vendosi jo pak në vështirësi mbrojten e skuadrës kurbinase, kryesisht të riun Bruno Lulaj.

Eduart Rroca – Fantazisti bëri një ndeshje të shkëlqyer, teksa u bë protagonist me dy asistet e golave për mesfushorin Dejvi Bregu dhe sulmuesin Kristal Abazaj.

Sabjen Lilaj – Një ndeshje shumë të mirë ka bëri edhe mesfushori qendror i Skënderbeut, që vendosi jo pak në vështirësi mbrojtën e skuadrës së Laçit.

Dejvi Bregu – Vlonjati ishte një ndër heronjtë e Luftëtarit në takimin ndaj Korabit, teksa mesfushori shënoi golin e parë, duke hipotekuar fitoren e gjirokastritëve.

Tomislav Busiç – Një paraqitje të jashtëzakonshme bëri kroati, i cili shënoi dy gola, përkatësisht në të 17-tën dhe në të 92-tën.

Rubin Hebaj – Ishte një ndër heronjtë e Vllaznisë, teksa sulmuesi ndryshoi lojën pas aktivizimit në pjesën e dytë, ekzaktësisht në minutën e 59-të, ku u aktivizua në vend të sulmuesit anësor, Arlind Kalaja.

Hamdi Salihi – Numri 14 i Skënderbeut, përveç golit të fitores që realizoi për ekipin e tij në të 22-tën, shërbeu jo pak për shokët e skuadrës, madje në disa raste u pa që të rikuperonte edhe topa që kishte humbur, teksa me sa duket, shkodrani është kthyer në formën e tij më të mirë.

Trajner, Armando Cungu – Vllaznia njihet si një skuadër, e cila në fushën e blertë ka treguar gjithmonë karakter. Edhe pse luante në stadiumin “Loro Boriçi”, skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran nuk e ka pasur të lehtë në sfidën ndaj Flamurtarit. Kuqeblutë kanë siguruar fitoren në kohën e fundit shtesë, pikërisht në të 94-tën, duke bërë një lojë shumë të bukur dhe tani e shohin veten jashtë zonës së ftohtë. Por, diferencat me ndjekësit më të afërt nuk është shumë e madhe.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.