minuta90.com sjell 11-shen më të mirë të javës

0
SHPËRNDAJE

minuta90.com, si çdo javë tjetër më përpara, sjell edhe këtë herë 11-shen më të mirë të kësaj jave.

Enea Koliçi – Portieri ka bërë një ndeshje të mirë, teksa ky i fundit ishte në një ditë të mirë, pasi ka shpëtuar skuadrën e tij nga disa gola të sigurt, duke bërë ndërhyrje vendimtare.

Denis Pjeshka – Vllaznia edhe pse humbi ndaj Partizanit zhvilloi një lojë pozitive, teksa barazimi do të ishte rezultati i duhur. Për shkodranët spikati Pjeshka, ku nga javë nga javë po ecën përpara dhe jo më kot edhe këtë javë, minuta90.com e ka futur në 11-shen më të mirë.

Franc Veliu – Mbrojtësi ishte njeriu i ndeshjes Flamurtari-Luftëtari. Vlonjati që është një pikë e rëndësishme në mbrojtjen kuqezi, teksa edhe këtë ndeshje luajti 90 minuta të plota, jo vetëm shënoi një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit, por arriti që të markonte në mënyrën më të mirë sulmuesin e gjirokastritëve, Reginaldo.

Gledi Mici – Këmbëmajti ishte mjaft i rrezikshëm në krahun e tij, teksa në ndeshjen ndaj Korabit ishte ndër lojtarët më të mirë të Skënderbeut.

Jurgen Bardhi – Partizani-Vllaznia u karakterizua nga një nivel jo i kënaqshëm, kështu që ishte e vështirë që të evidentoje një lojtar që spikati më shumë se të tjerët. Gjithsesi, aktivizimi i të riut në minutën e 46′ në vend të mbrojtësit Renaldo Kalari u dha më shumë rrezikshmëri të kuqve. Madje, goli i mesfushorit nga Fushë-Kruja e futi sërish në lojë Partizanin.

Idriz Batha – E njëjta gjë vlen edhe për gjirokastritin luftarak, teksa ky i fundit luftoi shumë. Madje, te rasti i penalltisë vlen të përgëzohet për qetësinë e jashtëzakonshme që ai kishte dhe jo më kot iu besua atij ajo penallti.

Sabjen Lilaj – Paraqitje të mira ka bërë mesfushori në këtë repart, pa harruar që ishte njeriu i cili arriti të fitonte penalltinë për skuadrën e tij të Skënderbeut.

Ansi Nika – Shkodrani meriton një notë të lartë për ndeshjen që zhvilloi, teksa ishte një rrezik konstant për mbrojtësin e Tiranës, Erion Hoxhallari.

Izair Emini – Kukësi ka marrë një fitore të vështirë në ndeshjen ndaj Teutës në shtëpi. Një formë të mirë ka treguar sulmuesi, i cili ka shënuar edhe golin që ka vlejtur tri pikë për ekipin e tij që tashmë kryeson Kategorinë Superiore.

Emmanuel Mensah – Ganezi ishte njeriu i ndeshjes në takimin Laçi-Tirana. Edhe pse ka pak ditë që u është bashkuar kurbinasve, dëshmoi se përshtatja nuk përbën problem për të, teksa goli ishte meritë e plotë e Mensah, që jo vetëm shmangu mbrojtjen e Tiranës, por dëshmoi cilësi në goditje.

Tomislav Busiç – Kroati ishte në një ditë të mirë, që shënoi një gol qetësie për Flamurtarin, duke i dhënë më shumë besim vlonjatëve se mund të merrnin një 3-pikësh të rëndësishëm.

Trajner, Sulejman Starova – Partizani ka arritur të fitojë me përmbysje ndaj Vllaznisë dhe normalisht meritën kryesore e ka trajneri Starova. Të paktë ishin ata që mendonin se të kuqtë mund të kthenin rezultatin në favor të tyre, duke qenë se shkodranët kanë arritur t’u marrin gjithmonë pikë të kuqve si në ndeshjet në Shkodër ashtu edhe në transfertë. Me këtë trepikësh, Partizani nuk i ndahet Kukësit në garën për titull.

/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.