Mladen Milinkovic: Dua një projekt serioz jo thjesht një punë

0
SHPËRNDAJE

Mladen Milinkovic i ka befasuar të gjithë. Dje qarkulloi lajmi se trajneri do të vazhdojë të punojë te Luftëtari dhe se nga e hëna do të nisë puna për merkaton, por duket se nuk ka ndodhur asgjë. I pyetur nga “Supersport”, ai ka shpjeguar se informacioni nuk është i vërtetë.

“Jo, nuk jam trajner i Luftëtarit. U befasova edhe vetë, kur e mora vesh. E vërteta është që askush nga klubi nuk më ka telefonuar, që prej datës 27 maj. Kisha një opsion në kontratë, sipas të cilit klubi duhej të më informonte deri më 30 prill, nëse donte të më mbante. Pëlqimin për punën time e kam marrë, por bisedime për më tej nuk kemi bërë. Brenda atij afati më informuan dhe i pranishëm ishte edhe menaxheri im. Vendosëm që të përfundonte kampionati dhe më pas të diskutonim”, – ka deklaruar trajneri.

Sezonin e kaluar Milinkovic bëri një revolucion të vërtetë në Gjirokastër dhe fitoi simpatinë e shumë futbolldashësve me lojën e bukur të skuadrës së tij. Ai nuk vuan për oferta, por as nuk di se sa të tilla ka. Sipas tij, e rëndësishme është të kesh projektin e duhur, jo thjesht oferta.

“Nuk është problem të bisedojmë për projektin e Luftëtarit. Kalova një vit të jashtëzakonshëm në Gjirokastër, të gjithë janë njerëz të shkëlqyer. Por, kërkova të diskutonim për disa ndryshime në klub. Deri tani, askush, përveç Gentjan Norës, nuk ka më ka kontaktuar. Vendimet në çdo klub i merr presidenti. E ardhmja? Gjithçka është në dorën e menaxherit tim. Kemi marrë shumë oferta në dy muajt e fundit dhe kompania e menaxhimit po e studion me mjaft kujdes se ku do të shkoj. Nuk dua thjesht të gjej një punë, sepse është e lehtë. Dua diçka serioze”, – ka shtuar ai.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.