Mohamed Abukar mund të veshë fanellën e Kombëtares së Shqipërisë

0
SHPËRNDAJE

setWatermark
Mohamed Abukar

Një ditë pas deklaratës së presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, se disa basketbollistë amerikanë do të luajnë me fanelën e Kombëtares në të ardhmen, mediat kosovare kanë zbuluar se qendra e Sigal Prishtinës, Mohamed Abukar, do të jetë njëri prej tyre.

“Telegrafi” shprehet se drejtuesit e basketbollit shqiptar kanë nisur prej kohësh bisedimet me shtatlartin amerikan dhe se së shpejti ai do të pajiset me pasaportë shqiptare. Basketbollisti Abukar pritet të pasojë kështu trajnerin qipriot Antonis Costantinides te kombëtarja shqiptare, një përforcim që konsiderohet i rëndësishëm, pasi amerikani ka një mesatare prej 16 pikësh për ndeshje.

Qiprioti Costantinides u prezantua si trajneri i ri i ekipit kombëtar, ndërkohë që drejton ekipin e Sigal Prishtinës. Basketbollisti i Sigal Prishtinës, Mohamed Abukar është i gjatë 2.08 metra dhe është transferuar këtë vit te skuadra kosovare, duke u dalluar me lojën e tij. Nëse ardhja e tij te kombëtarja kuqezi konfirmohet në ditët në vijim, ai do të jetë basketbollisti i parë amerikan që do të luajë me kombëtaren shqiptare.

Një dekadë më parë janë afruar disa basketbollistë kosovarë (Samir Shaptahovic, Florian Miftari, Edmond Azemi e Ersid Luca), por kjo është hera e parë që një lojtar përtej kontinentit do të veshë fanelën kuqezi. Abukar (lojtar me ngjyrë) nuk është amerikani i vetëm që luan te Sigal Prishtina, pasi te skuadra bardhekaltër luajnë edhe 3 amerikane të tjerë.

Ndoshta edhe ndonjë basketbollist tjetër i këtij ekipi mund të vijë në kombëtaren shqiptare për eliminatoret e “Eurobasket 2017” (jemi në grup me Malin e Zi, Sllovakinë dhe Gjeorgjinë)./GazetaTribuna.com

S'KA KOMENTE

Comments are closed.