Morten Olsen: Shqipëria rival i fortë

0
SHPËRNDAJE

Danimarka ka treguar “dhëmbët” kundër Shqipërisë ende pa u afruar ora e ndeshjes. Ishte pikërisht trajneri i përfaqësueses daneze, Morten Olsen, i cili hodhi “benzinë” në zjarrin e përplasjes së afërme midis dy skuadrave tona kombëtare më 4 shtator në Kopenhagen. Olsen publikoi listën e lojtarëve të Danimarkës për ndeshjen me Shqipërinë dhe bëri deklarata të bujshme në kuadër të këtij takimi, duke thënë se ndeshja përballë kuqezinjve shqiptarë është më e rëndësishmja e këtij sezoni kualifikues dhe një duel i drejtpërdrejtë që ka vlerë kualifikuese. Për këtë arsye ai e cilësoi fitoren e Danimarkës si një domosdoshmëri dhe që ekipi i tij duhet ta realizonte patjetër.

Morten Olsen
Morten Olsen

Olsen do të nisë me datë 30 gusht grumbullimin e tij me kombëtaren e Danimarkës për dy ndeshjet me Shqipërinë dhe Armeninë. Mungesa e madhe e Danimarkës ishte mbrojtësi i Brentford, Bjelland, që ishte titullar në sfidën e fundit të luajtur me Shqipërinë në “Elbasan Arena”. Në një intervistë të dhënë për mediat daneze, 66-vjeçari i cilësoi si jetike dy përballjet e radhës me Shqipërinë dhe Armeninë, duke theksuar se skuadra do të provojë të marrë 6 pikët në këto dy sfida. “Do të jenë dy takime shumë të rëndësishme, sepse Shqipëria është një rival direkt për vendin e dytë. Kanë një ndeshje më pak se ne dhe duhet të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren. Në ndeshjen e parë na vunë në vështirësi dhe nuk janë rastësisht në garë për në Europian, por ne e dimë objektivin tonë. Gjithashtu dhe ndaj Armenisë, vuajtëm në sfidën e parë. Vërtetë janë jashtë gare për kualifikimin por janë një skuadër shumë e mirë”, tha Olsen.

Ai foli gjithashtu dhe për grumbullimin e Niklas Bendtnerit, që e ka nisur mirë sezonin duke shënuar në Superkupën e Gjermanisë dhe në Bundesligë. “Niklas nuk është aktivizuar shumë me skuadrën e tij, por pavarësisht se ka luajtur pak minuta ka arritur të tregojë vlerat e tij. Gjithsesi e rëndësishme për të është të luajë rregullisht, duke bërë paraqitje të tilla jam i sigurt se do të fitojë një vend titullari te Volfsburg. Në kombëtare ne shpresojmë që ai të tregojë të njëjtën formë si në klub”, shtoi Olsen.

Në ndeshjen me Shqipërinë, ekipi danez do të luajë me shirit të zi në krah, në nder të ish-futbollistit danez Harald Nielsen që u nda nga jeta një javë më parë. Nisur nga deklaratat e Olsen, mund të mendohet që tani se sfida e kuqezinjve në Danimarkë përballë vendasve do të jetë shumë e vështirë, por për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri ynë Xhani de Biazi, i cili prej kohësh e ka cilësuar duelin e Kopenhagenit si një ndeshje ku luhet fati i grupit tonë në “Euro-2016”.
image
Në këtë ndeshje ka interes të madh dhe për tifozët, pasi dyshohet e një pjesë e mirë e biletave të shitura kanë përfunduar në duart e tifozëve të Kombëtares Shqiptare dhe informacioni i mbledhur nga danezët e konfirmon këtë. Pikërisht për të evituar përplasjet në tribuna të ndryshme, federata e Futbollit të Danimarkës kërkoi që tifozët shqiptarë t’i kthenin biletat, në të kundërt nuk do të lejoheshin të futeshin në stadium. /Sot News/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.