Mos e lër vetëm Kombëtaren! Ti duhet ta blesh një biletë!

0
SHPËRNDAJE


Opinion/ Sinoptika parashikon një ditë tjetër të nxehtë nesër në Elbasan, ndërsa një hapësirë e vogël e këtij qyteti, “Elbasan Arena”, duket se do të ketë ftohtë! Sipas raportimeve më të fundit, biletat e shitura përbëjnë një shifër… frigoriferike!

Nuk është se vjen Spanja e Italia, qoftë edhe Izraeli – Maqedonia është tjetër mesele – që të pretendosh “sold out”. Por, edhe pse është mikroskopiku Lihtenshtejn, ka jo pak arsye për të qenë i pranishëm në impiantin e gjelbërt.

Së pari, mentaliteti. Përfaqësuesja e shqiptarëve duhet mbështetur në çdo hap dhe ky është një detyrim patriotik. Një detyrim, që ka të bëjë fare pak me rezultatin teknik. Ne duhet të jemi aty si të ishte në Beograd, ku lojtarët tanë u shndërruan në heronj, ashtu sikurse na vjen në shtëpi, “na rreh e s’na lë të qajmë”, Spanja. Duhet të jemi aty,si të ishte në finalet e Europianit francez, ashtu sikurse duhet të vuajmë nga Izraeli me gola e kartonë të kuq. Dikush duhet të na kujtojë përditë se jo përditë shkohet në Europian e Botëror e jo përditë mund kë të del përpara. Dikush duhet të na thotë përditë se përkundër faktit që jemi në zemër të Europës, ende nuk jemi “puro” europianë e prej këtej, duhet të jemi më të thjeshtë.

Nuk është demagogji. Europa flet me fakte. Mbrëmë u luajtën, por për “Rusi 2018”, veç shumë të tjerash, edhe dy ndeshje që ngjasojnë si pika uji me tonën të nesërme. Portugezët pritën Ishujt Faroe, ndërsa belgët, Gjibraltarin. Stadiumet ishin thuajse plot e përplot. Entuziazmi në kufinj ekstremalë. A mund të fitonin vendaset pa mbështetjen e tifozerisë? Mendja të thotë vetëtimthi, po. Kësisoj, nëse nuk do të shkonin, “humbësit” do të ishin tifozët, jo futbollistët! Këtu bie poshtë edhe justifikimi se vendasit kanë shkuar më së shumti për të parë heronjtë e tyre. Natyrisht të shohësh Ronaldon , që me përfaqësuesen thyen edhe rekordin e legjendës Pele, në një stadium, apo Hazardin e Lukakun në tjetrin, është vërtet kënaqësi. Por, nuk është se edhe ne nuk i kemi heronjtë tanë. Dhe nuk është se quhen kështu thjesht për efekt terminologjie rutinë: dikush duhet të na kujtojë përditë se, Berisha e Strakosha mbrojnë porta të Serisë A, një toke ku mbijnë portierë, ndoshta më shumë se kallëza gruri. Dikush duhet të na kujtojë përditë se Hysaj luan te Napoli dhe është kërkuar në tregun veror nga emrat më të mëdhenj të kontinentit; se Agolli luan në një skuadër që për herë të parë në historinë e vet do të jenë në grupet e Champions League e se Mavraj luan në Bundesligë.

Djemtë kanë nevojë për ne. Trajneri Panuçi në premierën e tij, po kështu. Ne vetë kemi nevojë që, pse jo, të shfryjmë me një goleadë.

Mos e lër vetëm Kombëtaren! Ti duhet ta blesh një biletë!

S'KA KOMENTE

Comments are closed.