Mos e lini ta lërë!

0
SHPËRNDAJE

Nuk është se shkëlqeu mbrëmë Skënderbeu në ndeshjen udhëtuese për turin e tretë eliminator të Europa League në Boleslav të Çekisë, ndaj vendasve të Mlladës. Por, edhe pse vetë korçarët e kanë pranuar këtë – presidenti Takaj, i pari – rezultati e për më tepër goli në fushë kundërshtare e bëjnë shumë shpresëdhënës takimin e kthimin të enjten e ardhshme në “Elbasan Arena”. E në këtë arritje – nuk është e tepërt po ta etiketosh kësisoj një 1-2 në një përballje të këtij karakteri – pa dyshim që një rol vendimtar luajti dhe numri 1 i bardhekuqve, Orges Shehi. Si kapiten, po e po, por më e rëndësishmja në portë.

Do të ishte një paraqitje nga ato që konsiderohen ndoshta dhe normale për një portier – në fund të fundit, siç thuhet,”portieri për këtë është: të kapë ata topa që s’kapen, se ato që kapen, i kapin të gjithë” – por kur ke parasysh se mes shtyllave ishte një burrë (vështirë ta kapërdish termin rutinë “djalosh”) që këtë shtator që vjen mbush rrumbullak 40, “dekorata” i duhet dhënë pa pyetur asnjë lloj komisioni.

Megjithatë, edhe kjo do të ishte e varfër – jo pak portierë e kanë arritur e madje kapërcyer këtë prag – nëse nuk do të merrje parasysh deklarimin e tij të disa ditëve më parë: “Do ta lë pas aventurës europiane!”.

Mund të jetë lodhur Gesi. Kur ka filluar te Teuta, me të cilën ka luajtur për plot një dekadë, nga 1994-a e largët, mund të mos e ketë imagjinuar që do të të bënte zigzagen Ballsh – Shkodër – Partizani – Kavajë, për t’u stacionuar përfundimisht në Korçë, aty ku ka qenë protagonist absolut në fitimin e trofeve radhazi. Dhe pas 23 vjetësh ka gjithë të drejtën e Zotit të thotë: “Boll më!”.

Mund të ndiejë se ata elementët e fshehtë që e bëjnë një portier të madh kanë filluar të zveniten e trupi ndoshta nuk i përgjigjet më . Për specifikë të rolit në skuadër, qoftë edhe një zvisto, apo mungesë përqendrimi a reagimi, duke patur parasysh vitet me doreza, menjëherë, në shkallët e stadiumit përkthehet në, “mbaroi dhe ky, kaq e pat”. E si thonë në kësi rastesh, Gesi nuk dëshiron të turpërohet në pleqni!.

Mund edhe të jetë velur Gesi. Të qenit në “pole position” tërë kohës, një futbollist me sjellje vërtet shembullore ne fushë e jashtë saj, tituj, trofe, shiriti i kapitenit, anketa të panumurta të fituara, fanela e ekipit përfaqësues, janë një menu e stërbollshme. Dhe Gesi kërkon të …tresë! Dhe thotë: Do ta lë!

Por, në emër të asaj që ka dhënë e që mund të japë sërish për ju e Skënderbeun:

Mos e lini ta lërë!

S'KA KOMENTE

Comments are closed.