Mos hyni në hak!

0
SHPËRNDAJE
Loading...

tv
Të drejtat televizive për edicionin e ri të Superligës tashmë janë shitur për 150 mijë euro. Ky çmim po konsiderohet nënçmues për elitën e futbollit kosovar nga analistët dhe klubet. Këto të fundit ende nuk e dinë se nga sa para do t’i marrin, por janë kundër ndarjes së tyre në mënyrë të barabartë. Klubet që besojnë se meritojnë hise më të madhe bëjnë thirrje që të mos u hyhet në hak. Edhe analistët thonë se paratë duhet të ndahen duke i marrë parasysh disa kritere e jo shkel e shko

Tashmë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia ka shitur “Digitalbit” për 150 mijë euro të drejtat televizive të Superligës së Kosovës për edicionin e ri. Sipas FFK-së, fituesi i të drejtës televizive ishte ofertues më i mirë sesa “Klan TV” dhe RTK-ja, për të cilat ende nuk është bërë e ditur se nga sa para i kanë ofruar.

Por, për analistët dhe klubet kjo vlerë e shitjes së të drejtave televizive është tepër e ulët, sidomos tani kur kampionati i ri kosovar do të dërgojë skuadra në garat e UEFA-s, ndërsa shpenzimet e klubeve automatikisht shtohen dhe krejt kjo pritet ta ngrejë në një tjetër nivel futbollin kosovar.

Sidoqoftë, kjo punë është e kryer dhe kthim prapa nuk mund të ketë. Por mbetet e paqartë mënyra se si do t’u ndahen klubeve këto para që kanë prejardhje nga shitja e të drejtave televizive.

Analistët dhe klubet e mëdha thonë se duhet të ndërpritet praktika e ndarjes së parave në mënyrë të barabartë. Ata kërkojnë që paratë të ndahen me kujdes, të mos i hyhet në hak askujt, duke bërë thirrje që të merren parasysh modalitetet nga vendet anëtare të UEFA-s, ku tashmë është e pranuar edhe Kosova.

“Problemi kryesor është se të drejtat televizive po shiten shumë lirë. Dhe kjo është shumë e dyshimtë, kështu që dyshimet e mia do t’i shprehu pas disa ditësh. Por, është për keqardhje të madhe që po nënçmohet në këtë formë Superliga e Kosovës, duke i shitur të drejtat televizive me çmime simbolike dhe vërtet nuk po i kuptoj klubet se pse po pranojnë”, ka thënë për “Zërin” trajneri i njohur, Ismet Munishi.

“E dyta: Paratë nuk duhet të ndahen në këtë formë siç ka ndodhur deri më tani, që i përngjan një stili komunist. Nuk është në rregull që një klub i cili investon 400 apo 500 mijë euro të marrë mjete baras me një klub që investon 30 mijë euro. Në Kosovë ka klub që dihet se po bie nga Superliga ende pa filluar kampionati dhe merr para nga të drejtat televizive baras me kampionin dhe klubin më të madh”, thotë ai.

Munishi këshillon që paratë të ndahen duke i pasur parasysh historitë e klubeve, sukseset, investimet dhe ambiciet e tyre.

“Nuk është për t’u çuditur se kur sheh se kush po i drejton klubet, kur sheh gjendjen e terreneve dhe stadiumeve që duken si në Kandahar, s’ki pse çuditesh. Kur e sheh FFK-në e rraskapitur, e cila jo veç që nuk ka arritur të sigurojë fanella për Kombëtare, por as papuçe, atëherë s’ka hapësirë për çudi. Krejt këto duken pikëçuditëse”, thotë komentatori i njohur, Andin Lokaj.

Feronikeli: Jemi kampionë, kërkojmë hise meritore

Feronikeli është kampion në fuqi dhe ndër shpenzuesit më të mëdhenj në vitet e fundit. Klubi nga Drenasi, që synon Evropën, kërkon që të marrë hise meritore nga shitja e të drejtave televizive e të mos krahasohet me klube që investojnë shuma simbolike, apo të atilla që dalin rrallë në televizion.

“Nuk ka dyshim, kjo çështje duhet të rregullohet. Duhet të ketë dallime, sepse nuk është korrekte që një klub kampion apo nënkampion të marrë para njëjtë me një klub që bie nga Superliga”, thotë drejtori Artan Berisha.

“Nuk është në rregull që klubet e mëdha të barazohen me të voglat në këtë aspekt, që të barazohen klubet me investime të mëdha me ato që nuk investojnë thuajse fare. Pastaj, ka klube që u transmetohen të gjitha ndeshjet, ndërsa ka klube që u transmetohen shumë pak lojë. Duhet të merren parasysh kriteret siç bëjnë federatat evropiane”, theksoi ai.

FC Prishtina, “pro” vetëm modaliteteve evropiane

FC Prishtina ishte e vetmja në edicionin e kaluar që nuk kishte pranuar të bëhet pjesë e pakos, pasi përpos që ka shprehur pakënaqësi me çmimin e shitjes së të drejtave televizive, as që dëshironte të dëgjojë për të pranuar që ato para t’i ndaheshin njësoj si të gjitha klubeve tjera. Dhe, bardhekaltrit mund të refuzojnë sërish nëse nuk ndryshon mënyra e ndarjes së parave.

“Sa i përket çmimit të shitjes së të drejtave televizive vërehet se është shumë i ulët dhe jemi të bindur se Superliga meriton më shumë. Ndërsa, sa i përket ndarjes së mjeteve nga shitja e tyre, sigurisht se Bordi i klubit do të diskutojë dhe do ta analizojë situatën e me kohë do të marrë vendim të duhur”, thotë zëdhënësi, Avni Durmishi.

“Deri më tani FC Prishtina nuk është konsultuar nga askush rreth kësaj çështjeje. Ne gjithmonë i kemi pasur vërejtjet tona rreth ndarjes së mjeteve, kështu që shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet njëherë e mirë dhe të mos vijë puna deri te refuzimi nga ana e klubit tonë, sepse nuk mund të lejojmë të na hyhet në hak”, tha ai.

Durmishi thotë se Kosova tani është anëtare e UEFA-s dhe trendet evropiane duhet të ndiqen edhe nga kosovarët.

FFK: Do të flasim me klubet

Ndërkohë, në FFK thonë se do të takohen dhe do të diskutojnë me përfaqësuesit e klubeve para se të ndahen paratë e shitjes së të drejtave televizive, ndërsa ndarja e barabartë e parave mbetet në opsion. “Federata nuk ka vendosur ende. Ka mundësi të ftohen klubet në një takim dhe të dëgjohet zëri i tyre nëse do të ketë ndonjë propozim të kënaqshëm për të gjitha palët. Përndryshe, klubet kanë qenë të kënaqur me mënyrën e deritashme”, thotë shtëpia e futbollit/Zëri/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.