Motivi i Shkëndijës janë titujt e klubit, e jo premio 

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Skuadra e Shkëndijës së Tetovës me anë të një e-mail të dërguar në adresën tonë ka sqaruar çështjen e një mega-premio për “kokën” e Vardarit. Për të kuptuar në detaj ju ftojmë të lexoni në vijim:

shkendija

Numri një i Shkëndijës së Tetovës, Abdylmenaf Bexheti ka folur dy ditë para përballjes me Vardarin, duke kërkuar nga skuadra koncentrim për të fituar tre pikë. Ai drejton gishtin kah FFM që neglizhon marrjen e masave ndëshkuese për incidentin e ndodhur, ndërsa i quan spekulime zërat për premio prej 100 000 euro për lojtarët për fitore ndaj Vardarit.

 

Liga e Parë e futbollit të Maqedonisë ka hyrë në fazën e fundit dhe gjërat në lidhje me luftën për titullin e kampionit që merr një kahje shumë interesante. Në afat kohor prej vetëm 7-të ditëve, përballë njëra tjetrës do të jenë dy ekipet pretendete për titull Vardari dhe Shkëndija. Një javë më parë në Shkup ndeshja u mbyll me barazim 1:1, duke lënë ekipet në distancë prej dy pikëve dhe ky takim vendos shumë gjëra në lidhje me fituesin e titullit të kampionit. Shkëndija me fitore eventuale rrimer pozitën e parë dhe si lider do të priste tre takimet e fundit kampionale, që do të ishte përparësi e madhe për tetovarët. Për këtë arsye ndeshja e të dielës me Vardarin është vendimtare dhe për këtë në taborin e Shkëndijës janë shumë koshient. Kryetari i klubit, prof. Abdylmenaf Bexheti ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e klubit maturi dhe koncentrim, për të vënë në shërbim të klubit maksimumin drejt realizimit të ambicieve. “Përcaktimi i Shkëndijës prej fillimit të sezonit është titulli i Kampionit dhe Kupa dhe ne jemi të lumtur që në këtë moment jemi ekipi i vetëm që është në garë për dy titujt. Jemi kualifikuar në finale të Kupës dhe për atë do të mendojmë kur të vijë koha, pasi tani kemi para vetes ndeshje të rëndësishme në kampionat. Të dielën kemi mundësi të mirë që me fitore eventuale të dalim në vend të parë dhe unë kam kërkuar nga të gjithë koncentrim maksimal për këtë ndeshje. Shkëndija ka skuadër të denjë për të realizuar objektivat dhe ne besojmë se me maksimumin e të gjithëve mund t’ia dalim të realizojmë përcaktimet tona”, deklaroi presidenti i Shkëndijës, prof. Abdylmenaf Bexheti.

Ai ka shtuar se asnjë anëtar i skuadrës tetovare nuk guxon të bie pre e provokimeve të ndryshme para kësaj ndeshje, duke nisur nga Federata e futbollit të Maqedonisë që prolongon sanksionimin e Vardarit për skandalin me sulmin ndaj kryesisë së Shkëndijës në ndeshjen e një jave më parë. “Ne kërkojmë të shikojmë përpara, por patjetër të pranojmë se jemi të brengosur me neglizhencën që tregon Federata e futbollit të Maqedonisë në lidhje me incidentin që ndodhi javën e kaluar. Është sulmuar kryesia e një klubi dhe kjo është arsye e mjaftueshme që të ketë një vendim sanksionues. Ne kemi të qartë se ky është një lloj presioni ndaj ekipit tonë para kësaj ndeshje të rëndësishme që na pret të dielën. Por unë i bind të gjithë se Shkëndija është shumë më e fortë se gjithë këto tentime për krijim të obstruksioneve artificiale që pretendojnë të na nxjerin nga binarët”, thotë Bexheti.

Në fund numri një i ‘kuqezinjëve’ flet edhe për përcaktimin e skuadrës për realizim të objektivave, duke quajtur spekulime zërat e paraqitura në media për një premio të veçantë për këtë ndeshje. “Futbollistët e Shkëndijës janë më se të motivuar për këtë ndeshje, motivi kryesor i tyre  është titulli i kampionit dhe vlerësoj se nuk ekziston motiv më i madh se ky. Lexojmë spekulime të llojllojshme në media të ndryshme ku përmenden shifra të caktuara për premio që u është premtuar lojtarëve si stimulim para kësaj ndeshje. Këto janë thashetheme që dalin nga burime të painformuara dhe jozyrtare, por mundet edhe kundërshtare. Shkëndija ka të caktuara ambiciet prej fillimit të sezonit dhe me këtë janë planifikuar edhe shpërblimet që do të marrin lojtarët për realizimin e objektivave. I gjithë ekipi së bashku me stafin teknik kanë qenë pjesë e vendimbërjes për sistemin e shpërblimeve dhe pronari me kryesinë në përpikëri maksimale po zbaton atë. Prandaj këto gjëra që fliten janë vetëm spekulime dhe të pavërteta, të cilat mbase kanë për qëllim vetëm tërheqjen e vëmendjes së opinionit. Ne nuk kemi ndërmend të merremi me spekulime dhe përqëndrimi jonë është të bëjmë maksimumin tonë të fitojmë gjithë ndeshjet deri në fund të kampionatit dhe të realizojmë objektivat tona”, përfundoi kryetari i Shkëndijës, Abdylmenaf Bexheti. Ndeshja Vardari-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup me fillim në orën 16:00.

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.