NDAL DHUNËS!

0
SHPËRNDAJE
Loading...

kategoria-e-trete
Momente nga “ndeshja e futbollit” Sporting – Bulqiza. FOTO – Panora Sport.

Natyrisht që vëmendja e sportdashësve shqiptarë është përqendruar te Kombëtarja dhe lajmet rreth saj në prag të Europianit, por jo më pak edhe ndaj lajmeve të tjera që kanë të bëjnë me legjionarët, me paraqitjet e tyre dhe me merkaton që do të nisë edhe pak. Vëmendje ka edhe për ndeshjet e kampionateve tona kombëtare ,por ajo që në të vërtetë duhet të jetë në faqen e parë të çdo gazete e portali sportiv ,është dhuna e shëmtuar në futbollin tonë ku futbollistë, bij nënash si të gjithë ne, e vënë jetën në fije të perit për një top të rrumbullakët, për një lojë që te ne nuk është lojë ,por luftë a thua se po diskutohet Kupa e Botës.

Kështu ka ndodhur në Kamëz, pra fare pranë kryeqytetit e jo në ndonjë majë mali larg qytetërimit, ku në ndeshjen Sporting Tirana – Bulqiza, ka plasur dhuna me lojtarë të goditur, të gjakosur e që humbin ndjenjat në fushë, aty ku ata duhet të japin shfaqjen e tyre për të zbavitur tifozët. Gazeta Panorama-Sport me të drejtë e pasqyron këtë lajm në faqen e parë të saj duke sqaruar se ishin disa tifozë ata që sulmuan lojtarët në fushë.

Por çfarë justifikimi mund t’i japim ne kësaj ngjarje? Asnjë! Ne na bëhet qejfi kur shohim reportazhe nga të huajt për ekipin debutues në Europianin 2016, por në fakt gazetarëve të huaj duhet t’u japim këto pamje, sepse ky është ne fakt realiti ynë futbollistik. Nuk është Kombëtarja, 90% e së cilës stërvitet e luan jashtë kufinjve të Shqipërisë e që në krye ka një trajner që gjithashtu jeton jashtë vendit tonë.

Jo! Pasqyra e vërtetë e futbollit tonë kjo është. Dhunë, kafshëri, kacafytje, pasiguri, polici amatore, federatë inegzistente, mashtrim, trukim, njëanshmëri në gjykim, mospagesa lojtarësh, stadiume të vjetër dhe të boshatisur, premtime boshe, pisllëk, mjerim ….Ky nuk është futboll. Kombëtarja është krenaria e kombit ,por nuk mundet që të vazhdojmë pafundësisht ta përdorim si maskë për t’u treguar të huajve që futbolli te ne është rritur.

Jo, futbolli te ne edhe pse është viti 2015, vazhdon ende të mbetet në ‘epokën e xhunglës’!

S'KA KOMENTE

Comments are closed.