Ndërron jetë ish-futbollisti Zyhdi Barbullushi

0
SHPËRNDAJE

Futbolli shqiptar dhe ai shkodran në veçanti humbën kampionin e dyfishtë të viteve 45-46, por edhe të fundit të brezit të asaj Vllaznie, Zyhdi Barbullushin. Për rikujtesë historike “Minuta90.com” sjell për lexuesin kampionët e plotë të këtyre viteve: Dodë Tahiri, Shaban Abdija, Muhamet Dibra, Muc Koxhja, Prengë Gjeloshi, Beqir Osmani, Latif Alibali, Bimo Fakja, Mustafa Nehani, Met Vasija, Adem Smajli, Ernest Halepiani, Loro Boriçi, Xhelal Juka, Zyhdi Barbullushi, Muhamet Rexhepi, Muhamet Ademi, Xhevdet Shaqiri, Pal Mirashi, Isuf Çoba me trajner Ibrahim Dizdarin.

1945 Vllaznia
Vllaznia Shkodër viti 1945

Zyhdi Barbullushi lindi më 1 shtator 1926 në lagjen Garuc të Shkodrës. Që në moshën 18 vjeçare bëhet futbollist i Vllaznisë pasi kishte luajtur më parë për vite të tëra me ekipet e moshave të ndryshme të lagjeve në Shkodrën e hershme.

Kulmin e ka arritur padyshim me shpalljen dy herë kampion me Vllazninë menjëherë pas çlirimit por rregjiston edhe një përfaqësim me Kombëtaren në 25 maj 1947 kundër Rumanisë nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Adem Karapici. Fatkeqësisht është humbje 0-4 në Tiranë në një ndeshje me vlerë të dyfishtë, për Ballkaniadën ’47 dhe për Kampionatin e Evropës Qëndrore njëkohësisht.

E përveç se një futbollist i spikatur siç e tregojnë edhe kronikat dhe deshmitë e kohës, Barbullushi ka qënë plot me talent edhe në sporte të tjera si dhe gëzonte zhvillim të admirueshëm artistik e kulturor.

Kështu siç tregon edhe historiani dhe studiuesi Prelë Milani, Zyhdi Barbullushi njihet si një prej tre bilardistëve më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shkodra përkrah Alfred Ashikut dhe vetë të madhit Loro Boriçi.

image-300x336
Zyhdi Barbullushi

Ka qënë edhe fizarmonist i shkëlqyer, solist i shumë pjesëve klasike, mësues i dalluar i kësaj vegle për vite me radhë dhe kompozitor i mirë, veti të cilat ja trashëgoi djalit të tij Jetmirit, pasues i denjë ky i shumëdimensionalit Zyhdi Barbullushi.

Ndër nderimet e shumta ndër vite për Zyhdi Barbullushin veçohet titulli “Mjeshtër Sporti”, dekorata “Naim Frashëri” për kontributin shumëvjeçar në arsim por dhe çmime të tjera. Ka botuar në vitin 2006 edhe librin “Një jetë mes artit dhe sportit”.

“Minuta90.com” nderon dhe respekton jetën dhe veprën e njeriut të sportit, arsimit e kulturës, njeriun e dashur të Shkodres dhe Shqipërisë, Zyhdi Barbullushin.

I përjetshëm kujtimi i tij!

© minuta90.com

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.