Ndeshje e pabesueshme në “Loro Boriçi”, por në fund fiton Vllaznia

0
SHPËRNDAJE

Vllaznia dhe Flamurtari kanë dhuruar një ndeshje të çmendur në Shkodër, një nga më të bukurat e këtij sezoni, ose të paktën, një nga ato me fundin më drithërues, ku gjithçka ndryshoi në mënyrë të vazhdueshme në minutat shtesë.

Flamurtari shënoi me anë të Busiç në pjesën e parë dhe krijoi edhe disa raste të tjera, por nuk arriti të mbyllte ndeshjen. Nga ana tjetër, Vllaznia qëndroi në sulm gjatë gjithë kohës dhe u shpërblye me sulmuesin Hebaj në minutën e 76′.

Shkodranët gjetën rrjetën në minutën e 90′, kur Bakaj shënoi atë që mendohej se do të ishte goli i një fitoreje të shkëlqyer. Por vetëm pak sekonda më vonë, Busiç ndëshkoi përsëri ish-ekipin e tij, duke barazuar shifrat.

Megjithatë, asgjë nuk kishte mbaruar, pasi një harkim nga e majta gjeti mbrojtësin Pjeshka në zonë dhe futbollisti i ri gjuajti me kokë duke realizuar golin e fitores 3-2.

Takimi nis me Vllazninë më kërkuese në minutat e para, duke zbritur shpeshherë pranë zonës kundërshtare, por pa arritur të gjejë të çara në prapavijën e vëmendshme të vlonjatëve, me dyshen Kuqi-Veliu.

Eshtë minuta e 17-të dhe kundërsulm i vlonjatëve që gjen të çbilancuar prapavijën shkodrane. Topi përfundon te Busiç i cili gjuan me të djathtën duke dërguar sferën në rrjetën e Agoviç. 0-1.

Pas 3 minutash, Busiç fal Vllazninë. Sulmuesi kroat shfaqet përsëri para portës shkodrane por këtë radhë nuk ka koordinimin e duhur duke mos gjetur kuadratin.

Rasti i parë i rrezikshëm për Vllazninë në minutën e 24-të. Aksion perfekt i mesfushorit Vecaj në krahun e djathtë, një harkim i shkëlqyer drejt qendrës për sulmuesin Kalaja, por gjuajtja e me kokë e të riut është qendrore dhe Frashëri devijon sferën mbi traversë.

Pas një minute, pas një goditje nga këndi, topi arrin te Pjeshka por gjuajtja me kokë e tij përfundon jashtë.

Në të 31-tën, sulm i shpejtë i mesfushorit Vecaj që provon nga jashtë, por gjuajtja e tij është shumë larg kuadratit.

Pas dy minutash, rivënie anësore e gjatë nga Vrapi përfundon në zonën e Flamurtarit ku Frashëri rrëshqet dhe nuk kontrollon topin. Shtubina ndjek aksionin por nuk arrin ta devijojë në rrjetën e boshatisur, ndërsa Mersini largon rrezikun.

Kur po kronometrohej e 40-ta, shkodranët kërkojnë largimin me karton të kuq të Alves i cili shtyn në tokë mbrojtësin Vrapi. Kridens Meta konsultohet me asistentin Gerald Qiriçi dhe në fund i jep karton të verdhë sulmuesit të Flamurtarit.

Ndërkaq, pas 60 sekondash, Alves jep një asist për kapitenin Telushi i cili gjuan fluturimthi me të djathtën nga jashtë zonës. Topi merr një trajektore të çuditshme por përfundon jashtë kuadratit të portës shkodrane në të djathtë të Agoviç.

Në fundin e pjesës së parë, topi harkohet në zonën vlonjate, Kalaja gjen të lirë kapitenin Shtubina i cili gjuan nga pak metra larg portës, por Frashëri bën mrekullinë duke devijuar topin dhe shpëtuar katërkëndorin e tij nga një gol thuajse i sigurt.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Vllazninë që kërkon një penallti, pas një kontakti në zonë të kapitenit Shtubina, por gjyqtari Meta bën shenjë që loja të vazhdojë.

Në të 50-tën, aksion nga e majta i Alves i cili arrin të kalojë portierin Agoviç, por Pjeshka largon topin para se të kalonte vijën fatale.

Ndeshja është plotësisht e hapur, me situata që zhvendosen sa në një portë, në tjetrën. Vllaznia kërkon barazimin por në prapavijë Alves është i rrezikshëm për katërkëndorin shkodran sa herë prek topin.

Trajneri Armando Cungu aktivizon në lojë sulmuesin Rubin Hebaj, i cili i jep freski sulmit të kuqebluve, ndërsa në të 63-tën, Hebaj ul topin për mesfushorin Bakaj i cili provon me një gjuajtje akrobatike, por nuk ka saktësinë e duhur duke mos vendosur në vështirësi portierin Frashëri.

Pas dy minutash, Telushi provon nga distanca të gjejë rrugën e rrjetës së skuadrës shkodrane, por topi përfundon jashtë.

Kur po kronometrohej e 73-ta, Galiç provon nga distanca, por gjen në pozicion Agoviç i cili grushton gjuajtjen për të mbajtur në lojë skuadrën e tij.

Eshtë minuta e 76-të dhe vjen një supergol i sulmuesit Hebaj. Futbollisti kontrollon në hyrje të zonës dhe pasi shmang ndërhyrjen e mbrojtësve kundërshtarë, gjuan me të majtën duke përplasur topin në shtyllë dhe më pas në rrjetë. 1-1.

Vllaznia merr zemër që kërkon me ngulm barazimin. Pjeshka del në sulm dhe vendos në provë reflekset e portierit Frashëri me një gjuajtje nga jashtë që “gardiani” i vlonjatëve e kontrollon.

Në të 83-tën, aksion i shkëlqyer i vlonjatëve me kapitenin Telushi që nxjerr sulmuesin Shehaj para portës. Por vlonjati gabon duke i dhënë më shumë forcë se sa duhet topit, duke e kaluar atë mbi Agoviç, por edhe mbi traversën e portës shkodrane.

Eshtë minuta e 90-të, një aksion i shkëlqyer i Vllaznisë, Shtubina gjuan nga e djathta, Frashëri devijon gjuajtjen e kapitenit të kuqebluve, por më pas nuk mund të bëjë asgjë ndaj tentativës së mesfushorit Bakaj i cili provon dy herë dhe me të dytën dërgon topin në rrjetë. 2-1.

Ndeshje e çmendur në Shkodër. Pas dy minutash, saktësisht në të 92-tën, aksion i gjatë i Flamurtarit me një harkim nga e djathta që gjen në zonë Busiç dhe sulmuesi me kokë përshëndet përsëri rrjetën, 2-2.

Nuk kanë fund emocionet në shtesën e ndeshjes në “Loro Boriçi”. Në minutën e 94-të, harkim i gjatë nga e majta dhe Pjeshka gjendet në vendin e duhur në momentin e duhur duke mposhtur me kokë portierin Frashëri. 3-2.

Ndeshja nuk ka më histori, dhe Vllaznia merr një 3-pikësh me zemër, ndërsa Flamurtari është i pafat.

Kjo fitore largon përsëri Vllazninë nga fundi i klasifikimit ndërsa mban në zonën e rrezikut Flamurtarin.

Javën e ardhshme, Vllaznia luan me Korabin në transfertë, por më përpara kuqeblutë do të luajnë me Teutën për llogari të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Flamurtari do të luajë në shtëpi me Teutën, por më përpara do të shkojë në Lezhë për t’u përballur me Besëlidhjen për Kupën e Shqipërisë. /minuta90.com/

Vllaznia-Flamurtari 3-2

Golat: Hebaj 76’, Bakaj 90’, Pjeshka 90’+4 / Busiç 17’, 90’+2

Vllaznia (4-4-2): Agoviç, Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka, Vecaj (Mulemo 65’), Tafili, Krymi, Kalaja (Hebaj 59’), Shtubina, Bakaj Tr: Armando Cungu

Flamurtari (4-3-3): Frashëri, Jakovljeviç, Kuqi, Veliu, Mersini, Shehaj, Telushi, Hyseni, Fazliu (Neziraj 76’), Alves (Galiç 64′), Busiç (në dispozicion: Halili, Xhuriç, Leal, Beqaj, Dushku) Tr: Gentian Mezani

Gjyqtarë: Kridens Meta, Gerald Qiriçi

Kartonë të verdhë: Gocaj 73’ / Alves 40’, Hyseni 73’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.