Ndeshje e “vdekur” në Gjirokastër, Luftëtari ndal Skënderbeun

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15271778_1196369237067462_2859183578752236780_o

Luftëtari dhe Skënderbeu janë ndarë në barazim pa gola në ndeshjen e javës së 13 të Kategorisë Superiore të zhvilluar në stadiumin “Gjirokastra”. Të dyja ekipet kanë dhuruar një performancë mjaft të dobët në fushë teksa rastet për shënim ishin shumë të pakta. Ky ishte barazimi i 4-t radhazi për Luftëtarin në stadiumin e rikonstruktuar, ndërsa Skënderbeu ndalet pas dy fitoreve ndaj Korabit dhe Laçit.

Një pikë në Gjirokastër nuk është keq, në teori, por nëse aty Luftëtari nuk ka fituar ndaj askujt, edhe pse ka pasur përballë kohët e fundit edhe Flamurtarin dhe Korabin, që mbyllin renditjen, atëherë Skënderbeu nuk ka të drejtë të buzëqeshë.

Kampionët në fuqi, ndryshe nga rivalët e tjerë që kanë luajtur në Gjirokastër, nuk e kanë gjetur golin, edhe për faktin se mungoi për dëmtim Hamdi Salihi, sulmuesi më i mirë i kësaj skuadre.

Megjithatë, korçarët kanë të drejtë të ankohen, sepse në pjesën e dytë arbitri nuk pa një penallti neto ndaj mesfushorit Latifi, duke i dhënë karton të verdhë këtij të fundit.

Gjithsesi, pak për të merituar fitoren, edhe pse në pjesën e dytë rastet nuk munguan.

Luftëtari donte një pikë dhe e mori, duke vazhduar ngjitjen pa zhurmë në renditje, por ndërkohë duhet të bëjë një analizë: Fitorja shtëpiake po kthehet në makth dhe ndoshta ka një problem, që duhet ta zgjidhë trajneri Milinkoviç.

Trajneri i Luftëtarit është shumë i qetë, por Agostinelli jo edhe aq, sepse kishte një ultimatum për 3 fitore rresht: Po tani?

Para fillimit të takimit mbahet një minutë heshtje në nder të viktimave të aksidentit ajror që pësoi ditën e djeshme skuadra braziliane e Çapekoenses në Kolumbi.

Ndeshja nis e shpejtë dhe që në të 3-tën, Reginaldo tenton me një gjuajtje të rrezikshme brenda zonës, por topi shkon jashtë pak mbi traversë.

Luftëtari kërkon me ngulm golin dhe në të 7-tën, Bregu ekzekuton një goditje dënimi nga distanca duke tentuar portën, por Shehi është i vëmendshëm dhe e grushton topin duke e dërguar në goditje këndi.

Minutat kalojnë të qeta, teksa mungojnë rastet e rrezikshme, ku topi qarkullon më shumë në mesfushë.

Në të 29-tën, Mustafa tenton nga hyrja e zonës me një goditje drejt portës, por topi del jashtë pak mbi traversë.

Në fundin e pjesës së parë është Fukui që tenton me një goditje nga hyrja e zonës, por topi del jashtë pak mbi traun e portës.

Fraksioni i parë mbyllet këtu, ndërsa i dyti nis me një rast të mesfushorit Latifi tenton me një goditje të rrezikshme diagonal nga hyrja e zonës në krahun e majtë, por portieri Ruçi largon rrezikun.

Në të 58-tën, Fukui devijon rrezikshëm me kokë brenda zonës një top të ardhur nga goditja e dënimit, por reagon mjaft mirë Ruçi duke e nxjerrë topin në goditje këndi.

Në të 61-tën, Skënderbeu kërkon një penallti me anë të mesfushorit Latifi, ndërkohë që gjyqtari Cjapi mendon se futbollisti ka simuluar.

Vjen e 72-ta, dhe Latifi tenton portën nga një goditje dënimi, por Ruçi arrin të devijojë me vështirësi topin në goditje këndi.

Pesë minuta nga fundi, Latifi tenton me një goditje nga distanca, por Ruçi kontrollon lehtësisht topin.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me të dyja ekipet që ndajnë nga një pikë.

Pas këtij takimi, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 27 pikëve, duke zbritur në vend të dytë, sepse kreun e merr Kukësi me pikë të barabarta por me golavarazh më të mirë. Ndërkohë Luftëtari ngjitet në kuotën e 14 pikëve duke mbetur në vendin e 6 në klasifikim.

Javën e ardhshme, Luftëtari luan me Laçin në transfertë, poashtu edhe Skënderbeu luan në transfertë me Vllazninë, në “Loro Boriçi”. /minuta90.com/

Luftëtari-Skënderbeu 0-0

Gola: S’ka

Luftëtari: Ruçi, Rapa, Boyom, Beqiri, Rapo (Montero 76’), Brahimaj (Mersini 65’), Ramadani, Liçaj, Abazaj (Faye 90’+3), Bregu, Reginaldo (në dispozicion: Miraka, Lluka, Dany, Zogaj) Tr: Mladen Milinkoviç

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Orelesi, Mici, Mustafa, Lilaj, Fukui (Nimaga 70’), Serginho, Latifi, Adeniyi (në dispozicion: Llapanji, Radas, Idrizaj, Abazi, Zeka, Gavazaj) Tr: Andrea Agostinelli

Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi, Ilir Tartaraj, Orgest Grabova, Emirjon Sino

Kartonë të verdhë: Brahimaj 21’, Bregu 36’, Ramadani 83’/ Mustafa 20’, Serginho 54’, Latifi 61’, Orelesi 75’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.