Nga Gjeorgjia (përmes Francës) në Haifa…rrugëtimi i trajnerit De Biasi

0
SHPËRNDAJE
loading...

Gjithçka do të niste më 14 dhjetor të 2011, kur pas shkarkimit të trajnerit Josip Kuzhe, FSHF do të njoftonte arritjen e një marrëveshjeje 2-vjeçare me trajnerin italian, Gianni De Biasi, që kishte pranuar detyrën e trajnerit të Kombëtares Shqiptare.

Detyrën e nisi me miqësoren kundër Gjeorgjisë, të humbur me rezultatin 2-1, ku goli për “kuqezinjtë” u shënua nga sulmuesi Edgar Çani.

Në maj të 2012 pasuan dy miqësore të tjera, ajo kundër Katarit dhe ajo kundër Iranit. Në këto dy testime, De Biasi “zbuloi” portierin Etrit Berisha dhe mbrojtësin Mërgim Mavraj.

Si me Katarin, ashtu edhe me Iranin, Kombëtarja e trajnerit De Biasi fitoi, por u ndal në miqësoren e gushtit të po atij viti në barazim pa gola me Moldavinë në Tiranë.

Ndeshja e parë zyrtare ishte për eleminatoret e Botërorit të Brazilit, ku më 7 shtator mposhti Qipron me rezultatin 3-1. Në këtë ndeshje, u aktivizuan për herë të parë mesfushorët Burim Kukeli dhe Alban Meha.

Më 22 mars të 2013, Shqipëria fitoi minimalisht 1-0 ndaj Norvegjisë një rezultat që shërbeu për statistikë, pasi në përfundim të këtyre eleminatoreve u renditëm të parafundit.

Fushatën e eleminatoreve për Euro 2016 në Francë, De Biasi e nisi me fitoren historike 0-1 në Portugali ndaj vendasve. Kjo fitore e kuqezinjve pasoi dorëheqjen e trajnerit të Portugalisë, Paulo Bento.

Më pas mbërrin barazimi 1-1 në stadiumin “Elbasan Arena” me Danimarkën. Kuqezinjtë po udhëhiqnin deri në minutën e 80′, kur Lasse Vibe barazoi gjithçka.

Me katër pikë të grumbulluara në dy ndeshjet e para, Shqipëria udhëton drejt ferrit të Beogradit, në një takim të pashembullt në historinë e futbollit dhe ku si asnjëherë tjetër u ndaluan simbolet kombëtares.

Megjithatë, në kushte krejtësisht të pabarabarta dhe nën thirrjet raciste të tifozëve serbë, takimi filloi për të vazhduar ashtu i tensionuar deri në minutën e 42′, kur një fluturak tërboi serbët që hynë në fushë dhe goditën lojtarët shqiptarë.

Ndeshja e drejtuar nga gjyqtari anglez, Atkinson nuk do të riniste më dhe fati i saj do të përcaktohej në tavolinë. Në Apelin dhe Disiplinën e UEFA, pavarësisht provave të paraqitura nga pala shqiptare, tri pikët iu dhanë Serbisë me argumentimin se Shqipëria refuzoi të dilte të luante.

Gjithçka ndryshoi në Arbitrazhin e CAS në Lozanë, ku Shqipëria mori tri pikët që kontribuan në kualifikimin historik të Euro 2016.

Shorti na vendosi në një grup me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Ndeshja e parë ishte me Zvicrën, ku kuqezinjtë, të ndëshkuar edhe nga fati, u mposhtën 1-0.

Sfida më e vështirë ishte me organizatorët. Edhe këtu fati nuk ishte me ne.

Pas 89′ minutave pa rrjeta të prekura, një “përgjumje” e mbrojtjes u jep “gjelave” golin e parë dhe si të mos mjaftonte kjo, në kohën shtesë shënuan edhe të dytin.

Në ndeshjen e fundit, Shqipëria mposhti Rumaninë 1-0 me golin e shënuar nga sulmuesi Armando Sadiku në minutën e 43′, gol që na dha tri pikët e para në finalet e një Europiani, por fatkeqësisht jo vazhdimin e ëndrrës.

Të eleminuar dhe krenarë, Shqipëria dhe trajneri De Biasi u rikthyen tek eleminatoret e Botërorit, ku goglat na vendosën përballë Spanjën dhe Italinë. Ndeshja e parë në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Maqedonisë, e luajtur në dy ditë për shkak të motit të keq, përfundoi 2-1 për Shqipërinë, më pas mbërriti fitorja 0-2 ndaj Lihtenshtejnit në transfertë.

Më pas po në stadiumin “Loro Boriçi” mbërrin Spanja. “Muri” i mbrojtjes së trajneri De Biasi u ça dy herë, në minutën e 55′ dhe të 63′, përkatësisht nga Diego Costa dhe Nolito.

Izraeli duhej të ishte sfida e harresës së Spanjës, por më shumë se skuadrat në fushë, rezultati u vendos nga gjyqtari Ayetkin me dy kartonë të kuq dhe dy 11-metërsha kundër Kombëtares tonë, që u mposht 0-3 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Italia ishte tepër e fortë për të rikuperuar humbjen tronditëse ndaj Izraelit dhe në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos, kuqezinjtë u mposhtën 2-0 pas një paraqitjeje dinjitoze.

Pas Italisë dy miqësoret me Bosnjë-Hercegovinën dhe Luksemburgun dhe që të dyja të humbura me rezultatin 2-1, humbje që shtuan zërat kundër trajnerit De Biasi, zëra që shkuan deri aty sa të kërkonin largimin e tij. Ndërkohë që, në sfidën e së dielës ndaj Izraelit në Haifa, trajneri De Biasi u provoi të kundërtën dhe heshti kritikën jo vetëm me fitoren 3-0, por edhe me lojën e zhvilluar nga “Kuqezinjtë”.

…dhe deri kur të largohet, trajnerin De Biasi e presin ende katër ndeshje në krye të Kombëtares shqiptare. Si për rastësi, sfida e lamtumirës së tij nga “kuqezinjtë” është ajo ndaj Italisë së tij më 9 tetor. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU