Nisi rrugëtimin KFF Dukagjini, ekipi më i ri i futbollit të femrave

0
SHPËRNDAJE

Krijimi

Data 2 gusht 2015 shënoi nisjen e një tjetër iniciative të bukur për përhapjen e futbollit femëror edhe në komunen e Klinës, aty ku prej kohësh është shfaqur dëshira për krijimin e një klubi futbolli të këtij lloji. E kështu lindi KFF Dukagjini i Klinës, ekipi që pritet të marrë pjesë edhe në kampionatin kombëtar të futbollit të femrave të Kosovës 2015-16.

Interesimi i kësaj treve për tu marrë me futboll gjeti mbështetje nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) me lehtësime të veçanta të bëra enkas për ekipet në formim e sipër, por në mënyrë që lindja e Dukagjinit të bëhej realitet, është dashur ndihmëse e përkrahje edhe nga dashamirës të këtij sporti.

11953016_1670265443188472_1749348105410418412_n
Stema e ekipit Dukagjini

Kontributet

Kështu për krijimin e Dukagjinit kanë dhënë kontributet e tyre “Lidhja e Sporteve Shkollore” e sidomos Rexhep Veseli, Hil Marleku, zyrtari i sporteve për komunën e Klinës Xhafer Ademi si dhe Naim Kadriu – prindi i futbollistes 11-vjeçare Elma Kadriu e cila disa herë është shpallur talente e futbollit për mosha të reja.

Kryesia e klubit Dukagjini është e mirëorganizuar. Drejtor i klubit është zgjedhur Xhevxhet Berisha, sekretar Naim Kadriu ndërsa anëtarët e kryesisë janë Baki Gashi, Xhafer Ademi, Tune Dedaj, Blerta Godanci, Viktor Marleku, Adelina Morina, Tom Gjinaj dhe Dardan Palucaj.

Trajner i ekipit është zgjedhur Hil Marleku e ndihmësa të tij Rexhep Veseli e Blerta Godanci. Për të plotësuar ekipin e për të qenë gati për të bërë një garë të mirë në kampionat, përveç lojtareve nga Klina, Dukagjini është kompletuar me disa vajza nga 13 Qershori i Suharekës.

dukagjini
Ekipi i parë i femrave Dukagjini

Ndeshja e parë

Data 4 shtator shënoi edhe takimin e parë miqësor të Dukagjinit, takim i cili u zhvillua në qytetin e Klinës ku përballë debutueseve u vunë vajzat e Vizionit të Ferizajit të drejtuara nga trajneri i mirënjohur Qerim Shaqiri. Edhe pse ishte ndeshja e parë për Dukagjinin, loja ishte e pëlqyeshme kurse në fund fitorja i shkoi ekipit mik me rezultatin 4-2.

Edhe pse rezultati kaloi në plan të dytë, është me interes që të përmendim shënueset që ishin për Vizionin: Valentina Shumolli, Ernisa Alijaj dhe dygolësh i Mimoza Islamit; kurse si shënuesja e parë në historinë e Dukagjinit do të mbetet emri i Erestina Selimit që shënoi të dy golat për ekipin e saj.

Në përfundim, nuk na mbetet tjetër veçse ti urojme mirëseardhjen klubit të ri dhe një rrugëtim të mbarë e suksese në të ardhmen.

© minuta90.com

 

 

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.