Nisin “krasitjet”, Milinkoviçi ka ultimatum ndaj Flamurtarit

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kukësit duhet të kalojë me sukses pengesën e Vlorës, në të kundërt rrezikon shkarkimin. Presidenti Gjici do fitoren, ose masa

Jurgen Zela

Situata te Kukësi nuk është e qetë, kjo nuk do shumë mend të kuptohet. Rezultati i fundit ndaj Vllaznisë ka trazuar sërish ujërat, pasi Skënderbeu duket i pandalshëm dhe rritja e distancës me to ndikon drejtpërdrejtë edhe te kampionët e vendit. Kukësi nuk po bën një kampionat të keq, ka fituar, ka grumbulluar pikë, por “mëkati i vetëm” mbetet forma e mirë e korçarëve. Megjithatë, kjo pak rëndësi ka për presidentin e klubit Safet Gjici, pasi për të vlen renditja në tabelën e klasifikimit dhe pozicioni për momentin nuk flet në favor të stafit teknik. Pas ndeshjes me Vllazninë, Kukësi e gjen veten në vendin e dytë, një hap fals në shtëpi për verilindorët. Numri një i klubit ka folur me stafin teknik dhe i ka komunikuar atyre se ndeshja ndaj Flamurtarit do të jetë vendimtare.

ULTIMATUMI –Presidenti i ka lënë afat stafit deri në ndeshjen kundër Flamurtarit. Nëse Kukësi nuk fiton në Vlorë, atëherë do të ketë masa të tjera edhe për stafin teknik. Mbase ndonjë shkurtim tjetër, mbase largimnga ekipi. Askush nuk e di, por i sigurt është fakti se lojtarët janë “të kushtëzuar” të fitojnë në një sfidë mjaft delikate.

“Sport Ekspres” mëson se në komunikimin e numrit një të klubit me trajnerin serb i ka shprehur pakënaqësitë e tij  për skuadrën, por i ka kërkuar edhe të reflektojë në lidhje me të ardhmen. Gjici kërkon me këmbëngulje fitoren me vlonjatet, përndryshe masa të tjera priten ndaj skuadrës, stafit, por edhe lojtarëve.

STAFI – Largimi i analistit taktik Marko Jovanoviç është edhe një kambanë alarmi për pjesën tjetër të skuadrës. Numri një i klubit jo më kot ndërhyri duke larguar njërin prej tyre, për të qenë shembulli se askush nuk është i paprekshëm dhe mbi të gjitha, Kukësi i tij nuk e ka problem të ndryshojë trajnerë. Këtë mesazh e ka kuptuar mjaft mirë edhe trajneri Milinkoviç që tashmë e sheh veten pa njërin prej të besuarve të tij.

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.