Një “finale” pa fitues, në fund feston… Skënderbeu

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Mbyllet pa fitues kryendeshja e javës mes Partizanit dhe Kukësit, duke e bërë kampionatin edhe më të ethshëm në javët e fundit të tij. Barazimi 1-1 në fakt i shkon më shumë për shtat Skënderbeut që ka mundësinë të shkurtojë nesër diferencën me të dy ekipet që ka më sipër në klasifikim, për të tentuar më pas t’u rrëmbejë titullin në ndeshjet direkte.

Ka qenë një ndeshje e dominuar nga Partizani, thuajse që në minutën e parë të takimit. Ndërkohë që të kuqtë janë treguar shumë të pasaktë para portës kundërshtare duke shpërdoruar shumë raste. Të goditur në mënyrë të papritur nga goli i sulmuesit Matija Dvornekoviç, futbollistët e skuadrës kryeqytetase provuan në të gjitha mënyrat të kthenin barazinë në pjesën e parë, por pa shumë sukses, të ndalur edhe nga traversa e portës së Koliçit.

Fati ishte me Partizanin në fillimin e pjesës së dytë kur pak sekonda pas vërshëllimës së gjyqtarit Matej Jug, me harkimin e parë në zonë, Ylli Shameti devijoi topin në portën e tij. Më pas, u luajt thuajse gjatë gjithë kohës para zonës së portierit Enea Koliçi, i cili shpesh me ndërhyrjet e tij dhe shpeshherë i ndihmuar edhe nga paaftësia e sulmuesve të Partizanit, mbylli ndeshjen pa pësuar një tjetër gol.

Një barazim 1-1 që gjithsesi kënaq më shumë Kukësin e pamposhtur dhe që ka një bilanc më të mirë në ndeshjet direkte me Partizanin. Ndërkohë që të dy skuadrat tani duhet të fillojnë të mendojnë për Skënderbeun dhe dy finalet e javëve të fundit të kampionatit ku me siguri do të vendoset edhe fati i kësaj gare drejt titullit kampion. /minuta90.com/

Partizani-Kukësi 1-1

Golat: Shameti (aut) 46’ / Dvornekoviç 21’

Partizani (4-3-3): Hoxha, Fejzullahu, Malota, Atanda, Trashi, Batha, Ramadani (Mazrekaj 46’), Cetkoviç, Vila, Torassa (Sukaj 84’), Ekuban (në dispozicion: Xhika, Kalari, Bardhi, Fili, Boniface) Tr: Sulejman Starova

Kukësi (4-4-2): Koliçi, Hallaçi, Shameti (Pashaj 90’+1), Alla, Imami, Dvornekoviç (Cale 65’), Lena, Musolli, Carioca, Emini (Guri 73’), Pejiç (në dispozicion: Koçi, Memini, Greca, Rangel) Tr: Ernest Gjoka

Gjyqtarë: Matej Jug, Matej Zuniç, Andrea Kovaçiç, Kreshnik Cjapi

Kartonë të verdhë: Vila 12’, Torassa 16’, Malota 50’, Cetkoviç 73’ / Alla 37’, Shameti 45’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.