Një supergol i jep 3-pikëshin Laçit

0
SHPËRNDAJE

Laçi ka marrë një fitore të madhe ditën e sotme duke fundosur dhe vazhduar periudha e errët e Tiranës në kampionat. Në javën e 20-të kurbinasit mposhtën 1-0 bardheblutë duke e futur totalisht në krizë.

Sfida e luajtur në Laç u vendos nga një gol i Mensah në minutën e 35′ të ndeshjes, ku sulmuesi ganez shënoi një super gol duke dribluar të gjithë mbrojtjen e Tiranës. Përsa i përket bardhebluve, transferta vijon të mbetet tabu, teksa skuadra e trajnerit Mirel Josa edhe në këtë takim u ndëshkua në momentin e vet më të mirë dhe më pas nuk mundi dot të shfrytëzonte rastet e krijuara.

Problemet e skuadrës së Tiranës sa vijnë dhe shtohen, dhe kjo humbje është pasqyra e këtyre problemeve.

Takimi nis me një lojë e shpejtë në minutat e para, por pa raste për t’u shënuar në të dyja portat.

Skuadra vendase e Laçit merr kontrollin e lojës shpejt dhe e zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare, megjithatë ende pa rrezikuar seriozisht portën e portierit Ilion Lika. Nga ana tjetër, formacioni bardheblu që drejtohet nga trajneri Mirel Josa e ka të vështirë të organizohet.

Tirana jep sinjalin e parë në minutën e 22-të. Gentian Muça kërcen mbi të gjithë në një krosim nga këndi, por gjuajtja me kokë e kapitenit bardheblu shkon ngjitur me shtyllën.

Pas 6 minutash, vjen një tjetër mundësi e mirë për bardheblutë. Moctar Cisse shpërdoron, duke e dërguar topin mbi tra me një roveshatë brenda zonës së vogël.

Në të 30-tën, Hoxhallari hedh një krosim në zonë nga e majta, por aty reagon portieri Gentian Selmani i cili grushton topin duke larguar kërcënimin.

Minuta e 35-të dhe Laçi gjen avantazhin me anë të një supergoli të Emmanuel Mensah, i cili bën çfarë të dojë me mbrojtjen e Tiranës dhe mposht portierin Ilion Lika me një të djathtë të bukur nga brenda zonës.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me të njëjtat formacione që e mbyllën të parën.

Rasti i parë që vjen në këtë pjesë të dytë regjistrohet në të 48-tën, kur Erjon Vucaj provon me një gjuajtje-kros, e cila gjen të përgatitur portierin Ilion Lika.

Loja bëhet e ashpër në mesfushë, teksa as gjyqtari Andi Koçi nuk i kursen kartonat, ku ndëshkohen për Laçin Drilon Musaj dhe Ansi Nika.

Në të 71-tën, Erjon Vucaj tenton me një roveshatë, mirëpo gjuajtja e mesfushorit shkon lehtë në duart e portierit Ilion Lika.

Josa aktivizon në lojë edhe Romuald Ntsitsigui, i cili merr përsipër manovrën sulmuese të Tiranës. Mesfushori depërton nga e djathta dhe gjuan drejt portës, por mbrojtja e Laçit devijon në goditje këndi.

Kur po kronometrohej e 82-ta, Tirana shpërdoron një shans të mirë për të barazuar. Ntsitsigui merr bukur krahun e djathtë dhe pason në qendër për Cisse, por topi është paksa më i fortë dhe Selmani e kontrollon në dalje.

Zbritje e shpejtë e Laçit me Emmanuel Mensah dy minuta para fundit, por ganezi vonohet në gjuajtje duke dërguar dëm një mundësi të mirë për të dyfishuar.

Fjoart Jonuzi provon me një të djathtë të fuqishme nga larg, por traversa i mohon golin, në të 89-tën minutë.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Tiranën që vazhdon periudhën e errët e në kampionat, ndërsa Laçi mori një fitore te madhe, e cila pritet ta ndihmojë për ndeshjet e ardhshme.

Kryeqytetasit, që kanë pesë ndeshje që nuk shënojnë jashtë fushe dhe prej pesë ndeshjesh nuk njohin fitore prej 363 ditësh larg stadiumit “Selman Stërmasi”, tani rrezikojnë të humbin edhe vendin e katërt nëse Luftëtari mund Flamurtarin. Kurse kurbinasit fitojnë menjëherë dy pozicione në renditje dhe e shohin veten përkohësisht në vendin e shtatë, në pritje të Flamurtarit.

Javën e ardhshme, Laçi luan në transfertë me Skënderbeun, ndërsa Tirana pret në shtëpi Kukësin. /minuta90.com/

Laçi-Tirana 1-0

Goli: Mensah 35’

Laçi (4-4-2): Selmani, Musaj, Qaqi, Gjoni, Shala (Alechenwu 79’), Nika, Vucaj, Jonuzi, Lushkja, Serginho (Çelhaka 82’), Mensah (Kanapari 90’+1) (në dispozicion: Vata, Fangaj, Hysi, Bardhi) Tr: Bledar Sinella

Tirana (4-4-2): I. Lika, Doka, Muça, Domgjoni, Hoxhallari, G. Lika, Taku, Daja, Nkounkou, Cisse (Edeh 85’), Halili (Ntsitsigui 61’) (në dispozicion: Bakaj, Turtulli, Cake, Deliaj, Nuriu) Tr: Mirel Josa

Gjyqtarë: Andi Koçi, Fatmir Lamaj, Herald Lisaku, Adrian Beqiri

Kartonë të verdhë: Musaj 68’, Nika 69’, Mensah 90’ / Hoxhallari 26’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.