Nuk ishte aleancë politike, Tirana dhe Kukësi bëjnë thjesht teatër

0
SHPËRNDAJE

U fol për aleancë si politika, por Kukësi dhe Tirana nuk e bënë një gjë të tillë, thjesht dhanë teatër në “Selman Stërmasi”, në një ndeshje ku në 45 minutat e dyta mund të flitet për gjithçka, veçse për futboll.

Në pjesën e parë loja me top luhet ashtu siç duhej, me Tiranën dhe Kukësin që nuk kursehen dhe me një lojë më se të pëlqyeshme. Në fund, goli i shënuar nga Taku bën diferencën, për të dërguar në pushim bardheblutë me një avantazh që ishte i merituar dhe verilindorët të ndërgjegjshëm se këtë ndeshje kishim shumë mundësi ta humbnin.

Pjesa e dytë është diçka krejtësisht ndryshe, që ka pak të bëjë me futbollin e një kampionati që cilësohet “rivalizues” si rrallëherë. Tirana duket një skuadër tjetër dhe të njëjtët mbrojtës që linin pak hapësira për Pejiç dhe sulmuesin tjetër, Emini, tani thjesht shoqërojnë me sy sulmuesit kundërshtarë, duke u dhuruar hapësira që rrallëherë i kanë gjetur në vitet e fundit në Superiore.

Prandaj shfaqja e turpshme në “Selman Stërmasi” vazhdon me golat e Pejiç dhe sulmuesit Emini që përmbysin rezultatin dhe i japin tre pikët Kukësit, që vazhdon i qetë në kryesimin e kampionatit, pas një teatri skandaloz që u dhurua në kryeqytet.

Takimi nis me disa harkime radhazi në zonën e Tiranës, por asnjë prej sulmuesve të Kukësit nuk arrin të shqetësojë portierin Ilion Lika.

Rasti i parë i rrezikshëm vjen në minutën e 8-të, kombinim nga e djathta i mbrojtësit Doka me mesfushorin Taku, ky i fundit gjen Cisse në qendër por nuk e devijon siç duhet, me portierin Koliçi që kontrollon jo pa vështirësi.

Pas tre minutash, goditje dënimi ballore e Tiranës, me mesfushorin Taku që provon me një gjuajtje të ulët, por Koliçi është i vendosur në pozicion.

Në të 15-tën, vjen një gjuajtje e shkëlqyer nga rreth 25 metra e mesfushorit Gilman Lika, përgjigje po aq e bukur nga Koliçi i cili devijon topin i cili po i drejtohej rrjetës.

Vjen edhe shkëndija e parë nga Kukësi, teksa në të 17-tën Emini në të djathtën gjuan fort në portë, por Ilion Lika grushton topin në fundore.

Kukësi i afrohet golit me sulmuesin Emini në të 26-tën që kontrollon një pasim perfekt të mbrojtësit Shameti, por Turtulli ndërhyn në çastin e fundit për të shpëtuar portën e Tiranës.

Në të 33-tën, Dvornekoviç pretendon penallti pas një përplasje në zonë me Cisse por gjyqtari Jorgji lejon lojën të vazhdojë.

Ndërkaq, në të 36-tën, zëvendësim i detyruar për trajnerin Josa. Në fushë Cake në vend të mbrojtësit Domgjoni të dëmtuar, teksa shtohen problemet në prapavijën e bardhebluve.

Eshtë minuta e 39-të dhe Tirana kalon në avantazh. Pas një goditje dënimi, Koliçi nuk kontrolloi topin siç duhet, teksa sfera përfundoi te Hoxhallari dhe ky i fundit gjeti mesfushorin Taku, i cili pak hapa larg portës, nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. 1-0.

Rasti i fundit për këtë pjesë të parë vjen në minutën e 41-të. Eshtë përsëri Taku që rrezikon portën e Tiranës. Mesfushori lëshon një gjuajtje nga distanca që kalon pak mbi kryqëzimin e shtyllave të portës së portierit Koliçi.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me zëvendësim te kryesuesit e Superiores, ku Musolli i lë vendin në fushë mesfushorit Kushtrim Lushtaku.

Në të 52-tën, Pejiç dërgon topin në rrjetë pas një goditje dënimi nga e majta e sulmit të Kukësit, por anësori Astrit Mahmuti sinjalizon për pozicion jashtë loje.

Eshtë minuta e 57-të dhe ngulmimi i Kukësit në këto minuta të para shpërblehet me golin e barazimit të Pejiç. Sulmuesi merr një pasim në zonë nga Lushtaku dhe gjuan pas një rrotullimi të shpejtë duke shmangur si mbulimin e mbrojtësit kundërshtar, ashtu edhe duke mposhtur portierin Ilion Lika që nuk arrin të devijojë topin. 1-1.

Kur po kronometrohej e 63-ta, Ilion Lika i mohon golin e avantazhit sulmuesit Pejiç i cili shfaqet në pozicionin e tij të preferuar në krahun e djathtë, por këtë radhë portieri është në vendin e duhur për të devijuar jashtë gjuajtjen e kroatit.

Ilion Lika vazhdon të mbajë në lojë Tiranën në këtë duel, kur në të 68-tën, mbrojtja e Tiranës, e cila po kontrollonte gjithçka mirë në pjesën e parë tani lë shpeshherë të lirë Pejiç dhe ky i fundit arrin të gjuajë drejt kuadratit me lehtësi, por gardiani i Tiranës grushton një tjetër gjuajtje të kroatit nga një distancë e afërt duke shpëtuar katërkëndorin nga një gol i sigurt.

Pas një minute, pas një goditje dënimi, Imami me kokë provon të gjejë golin, por Ilion Lika është përsëri i vëmendshëm.

Prej disa minutash loja luhet vetëm në zonën e Tiranës, me lojtarët e Kukësit që kishin hapësira që nuk gjendeshin në pjesën e parë, për të rrezikuar katërkëndorin e portierit Ilion Lika, teksa është merita e këtij të fundit në disa grushtime të sakta apo edhe pasaktësi e sulmuesve të verilindorëve, dhe ndeshja vazhdon të jetë në barazim.

Në të 75-tën, Lushtaku depërton me lehtësi deri para portierit Ilion Lika por preferon të mos gjuajë duke humbur momentin e mirë për të shënuar.

Kur po kronometrohej e 80-ta, Cisse ka mundësinë të shënojë golin e avantazhit për Tiranën, por gjuajtja e sulmuesit të Tiranës, edhe pse i vetëm para portierit Koliçi, është në trup të portierit duke shpërdoruar një mundësi të jashtëzakonshme për të shënuar.

Eshtë minuta e 83-të dhe ashtu siç pritej, erdhi edhe goli i avantazhit për Kukësin. Pas një aksioni të insistuar të Kukësit, Cale pason për sulmuesin Emini në qendër dhe ky i fundit nuk gabon duke dërguar topin në rrjetë. 1-2.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori, teksa ndodhi ajo që pritej, Kukësi mposhti Tiranën me shifrat 1-2, duke përmbysur rezultatin në një ndeshje shumë të paragjykuar që para se të fillonte.

Tashmë, për Tiranën shpëtimi i vetëm këtë sezon mbetet Kupa e Shqipërisë.

Javën e ardhshme, Partizani luan derbin e madh me Tiranën, ndërsa Kukësi luan në transfertë me Laçin, por më përpara këto dy ekipe do të luajnë së bashku për llogari të Kupës së Shqipërisë. /minuta90.com/

Tirana-Kukësi 1-2

Golat: Taku 39’ / Pejiç 57’, Emini 83’

Tirana (4-4-2): I. Lika, Doka (Nuriu 66’), Turtulli, Domgjoni (Cake 36’), Hoxhallari, G. Lika, Taku, Daja, Nkounkou, Cisse, Halili (Kërçiku 55’) (në dispozicion: Bakaj, Deliaj, Ntsitsigui, Edeh) Tr: Mirel Josa

Kukësi (4-4-2): Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Rrumbullaku (Cale 70’), Dvornekoviç (Guri 58’), Carioca, Musolli (Lushtaku 46’), Imami, Emini, Pejiç (në dispozicion: Koçi, Çema, Memini, Rangel) Tr: Ernest Gjoka

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Rudin Preça, Astrit Mahmuti, Melis Dervishi

Kartonë të verdhë: Carioca 64’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.