Nuk ka fitues në Gjirokastër, Luftëtari dhe Korabi ndajnë pikët

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15219373_1174467135965776_2805941436367528967_nLuftëtari priti sot në Gjirokastër ekipin e Korabit, ku kanë ndarë pikët në barazimin 1-1 në Gjirokastër, në një ndeshje shumë të luftuar, me raste në të dy portat dhe që mund të kishte përfunduar me fitoren e secilës prej dy skuadrave.

Vendasit e filluan ndeshjen me një gol shumë të shpejtë të sulmuesit Reginaldo, por ashtu si në takimet e mëparshme, gjirokastritët shpërdoruan raste të shumta për të mbyllur takimin. Korabi përfitoi dhe gjeti barazimin me mesfushorin Mziu, ndërsa më pas ndeshja mund të shkonte si për njërën skuadër, ashtu edhe për tjetrën, pasi u krijuan raste të shumta, edhe pse askush nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë.

Në fund, rezultati 1-1 i jep barazimin e tretë radhazi Luftëtarit, ndërsa Korabi theu serinë negative, pasi për herë të fundit në kampionat kishte marrë pikë në 2 tetor.

Takimi nis me gol në Gjirokastër. Bregu jep një pasim perfekt për sulmuesin Reginaldo i cili shfaqet i vetëm para portës dibrane dhe nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. 1-0.

Menjëherë pas golit, një mundësi tjetër për vendasit që provojnë me anë të mesfushorit të majtë, Bregu dhe sulmuesit Abazaj por mbrojtja e Korabit largon me vështirësi.

Në të 11-tën, Liçaj gjen në zonë saktësisht sulmuesin Reginaldo me një harkim nga e djathta por këtë radhë gjuajtja me kokë e sulmuesit përfundon jashtë kuadratit.

Korabi provon të reagojë por sa herë hidhet me shumë forca në sulm, lë hapësira të mëdha për kundërsulmin e rrezikshëm të gjirokastritëve të cilët iu afruan përsëri golit me Bregun.

Kur po kronometrohej minuta e 22-të, Plaku provon të depërtojë në zonë me një driblim të shpejtë por prapavija e Luftëtarit është e vëmendshme duke shoqëruar topin jashtë vijës fundore në një goditje këndi që nuk prodhon asnjë rrezik për portën e portierit Miraka.

Në të 29-tën, një kundërzbritje e shpejtë e mesfushorit Bregu në krahun e djathtë, ku kombinohet me mbrojtësin Liçaj që i kthen topin por gjuajtja e futbollistit të Luftëtarit ndalohet nga mbrojtja e Korabit.

Minuta e 35-të, ku një goditje dënimi e mesfushorit Nexhpi në pozicion shumë të favorshëm, nuk shfrytëzohet shumë mirë, pasi topi përfundon mbi traversë.

Në të 39-tën, një goditje dënimi nga e djathta e sulmit të Luftëtarit, largon Dukiç, por topi përfundon te Rapo i cili gjuan nga distanca. Sfera përfundon në rrjetë pas krahëve të Vujadinoviç, por goli anulohet pasi Boyom zë rrezen e veprimit të portierit të Korabit.

Gjithsesi, një mundësi e mirë është ajo e minutës së 42-të kur, një aksion perfekt i dibranëve me mesfushorin Gavazaj që jep topin në të majtën për mesfushorin tjetër Ardit Peposhi por gjuajtja e këtij të fundit përfundon lart mbi traversë.

Situata e rrezikshme zhvendosen në portën tjetër, ku Ramadani dhe Abazaj nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë edhe pse pak hapa larg katërkëndorit të Korabit.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta fillon pa asnjë ndryshim në radhët e ekipeve në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Haxhiu hyri në fushë duke u dhënë aty udhëzime lojtarëve të tij.

Ndeshja vazhdon me ritëm të lartë, me dy skuadrat që vazhdojnë të sulmojnë pareshtur, por deri tani nuk ka asnjë tentativë të mirëfilltë drejt portës në këtë fraksion të dytë loje.

Në të 56-tën, Barazohen shifrat në Gjirokastër. Dukiç shpërthen nga e djathta dhe jep një harkim të saktë në zonë ku Mziu gjuan fluturimthi dhe dërgon topin në rrjetë. 1-1.

Luftëtari nuk pajtohet me rezultatin dhe në të 61-tën, Dany provon të gjejë të pavendosur Vujadinoviç me një gjuajtje nga jashtë zonës por shënjestra e tij është shumë e gabuar dhe topi përfundon shumë lart mbi traversë.

Sërish në sulm, gjirokastritët dhe në të 67-tën, Abazaj i afrohet përsëri golit për skuadrën e Luftëtarit. Sulmuesi hyn në zonë nga e majta dhe gjuan fort por sfera përplaset në traversë pas një devijimi të lehtë të Vujadinoviç.

As Korabi nuk qëndron prapa dhe kur po kronometrohej e 71-ta, Çela ka mundësinë të përmbysë rezultatin për skuadrën e tij por nuk e shfrytëzon. Mbrojtësi, shfaqet para portierit Miraka, por gjuajtja e tij kalon mbi gardianin e më pas edhe mbi traversë duke përfunduar jashtë.

Në të 81-tën, Bregu humb mundësinë për të kaluar ekipin e tij në avantazh. Mesfushori hyn në zonë në krahun e majtë dhe shfaqet para Vujadinoviç por gjuajtja e tij lë shumë për të dëshiruar pasi ai dërgon topin shumë larg kuadratit.

Pas 2 minutash, tjetër mundësi e humbur për Luftëtarin. Reginaldo gabon në gjuajtjen nga jashtë zonës duke kaluar topin mbi traversë në vend që të pasonte për shokët e skuadrës që po mbështetnin aksionin e tij nga krahët.

4 minuta para fundit të kohës së rregullt, një gjuajtje e dëshpëruar nga e djathta e mbrojtësit Liçaj, devijohet jashtë në këndore nga mbrojtësit e Korabit.

Në fund, Korabi ka një mundësi të mirë, pas një gjuajtje nga distanca e mbrojtësit Çela, por Miraka shpëton portën me një ndërhyrje vendimtare.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me të dyja ekipet që ndajnë nga një pikë.

Javën e ardhshme, Luftëtari pret në shtëpi Skënderbeun, ndërsa Korabi ka një transfertë shumë të vështirë në Shkodër, me Vllazninë. /minuta90.com/

Luftëtari-Korabi 1-1

Golat: Reginaldo 2’/ Mziu 56’

Luftëtari (4-4-2): Miraka, Rapa, Boyom, Beqiri, Rapo (Faye 67’), Liçaj, Dany (Montero 80’), Ramadani, Bregu, Abazaj, Reginaldo (në dispozicion: Ruçi, Shehu, Mersini, Brahimaj, Lluka, Zogaj) Tr: Mladen Milinkoviç

Korabi (4-4-1-1): Vujadinoviç, Dukiç, Sheta, El. Prençi, Çela, Mziu (Kaja 86’), Gavazaj, Veliaj, A. Peposhi, Nexhipi (Kaloshi 78’), Plaku (në dispozicion: Spahija, Nako, Prifti, Mezini, D. Peposhi) Tr: Gerdi Haxhiu

Gjyqtarë: Laver Alla, Marius Qose, Nuri Rrapaj, Kreshnik Cjapi

Kartonë të verdhë: Veliaj 35’, Sheta 82’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.