Opinion/ Kombëtarja e Skënderbeu, rrugë e hekurudhë

0
SHPËRNDAJE

Opinion/ Në dukje të parë, është një përpjekje e pavend të bësh krahasim mes një ekipi të një klubi me ekipin përfaqësues. Duken si dy drejtëza të kithta (quhen të tilla, ato që as nuk priten, por as nuk janë paralele) e megjithatë, ndoshta dhe prej arritjeve apo pikëpyetjeve , ia vlen të qëmtosh për të gjetur diçka të përbashkët në formimin e mbarëvajtjen e Skënderbeut dhe ekipit tonë Kombëtar. Pse jo,  dhe veçanti apo ndryshime mes tyre.

“Themelimet”

Fillesat e këtij Skënderbeu (flitet për aktualin, që po bën jehonë edhe në arenën europiane) janë këtu e shtatë vjet më parë. Një grup biznesmenësh – më së shumti për qëllime politike – u afruan tek skuadra korçare që asokohe ishte në kategorinë inferiore. Pati një projekt, – më mirë është të etiketohet një ambicje serioze – dhe, ndihmuar financiarisht prej njerëzish të fuqishëm e po kështu edhe “institucionalisht” prej FSHF-së, ia doli të ngjitet në kategorinë e më të mirëve.

Fillesat e kësaj Kombëtareje (flitet për aktualen që ka kostumin e të qenit pjesëmarrëse në fazën finale të një kompeticioni madhor) janë afërisisht në të njëjtën periudhë, kur presidenti i FSHF-së, Duka plazmoi idenë e zgjerimit të kufinjve: nga një Kombëtare e Shqipërisë, u projektua një Kombëtare e të gjithë shqiptarëve. Investimi në zyrat rajonale, ngritja e imazhit dhe puna e serioze e stafit të ekipit (De Biazi me grupin e tij) bënë që të përthithen lojtarë cilësorë. Ndonëse pa ndonjë shkëlqim të veçantë, grupi i futbolistëve funksiononte.

Zhvillimi

Me mbështetje të gjithanshme, sidomos të FSHF-së, por dhe të klubeve të veçantë, Skënderbeu ia doli të fitojë titullin. Pati polemika të shumta për stërkëmbësha ndaj Flamurtarit, apo dhe për lëshime të Dinamos, por gjithsesi, bazuar edhe në aksiomën e biznesmenëve të fuqishëm –“ Mos më pyet për milionin e parë” (përkthe: Mos më pyet për titullin e parë), presidenti Agim Zeqo e shpalli kampion Skëndebreun. Në fakt, brumi ishte dhe “po vinte”.

Sidomos pas ardhjes së De Biazit, i cili u ngjit në katedër kur Kombëtarja jonë kish prekur fundin, pra nuk kish ç’të humbiste më shumë, largimi i një pjese lojtarësh që e kishin mbyllur misionin e tyre u plotësua me prurjen e një grupi që zgjeruan kufinjtë e shtetit amë. FSHF u tregua këmbëngulëse dhe, edhe pse pati një ndikim jo të vogël në njohjen e përfaqësueses së Kosovës dhe përfshirjen e saj në aktivitetet e UEFA-s e FIFA-s, nuk hoqi dorë së kërkuari të lojtarëve “jo puro”. Ndikuar edhe nga fakti që vetë futbollistët “preknin” rritjen e përfaqësueses shqiptare, pjesa dërrmuese e tyre i qëndruan besnikë Dukës e De Biazit.

Arritjet

Skënderbeu pati një qëndrueshmëri të admirueshme në rezultate. Krijimi i një grupi cilësor, trajtimi menaxherial i mençur dhe sisdomos pjesëmarrjet në kompeticionet europiane çuan në një shëndoshje të anës financiare. Klubi nisi të shiste futbollistë e më pas kishte dhe “xhepin” për të afruar cilësorë nga jashtë vendit. Presidenti Takaj u “përshtat” mjaft mirë me mentalitetin e qytetit, duke krijuar një klimë besimi e mjedis të qetë në skuadër e klub, ku fjalët presion, tension, shkarkime e gjoba u arkivuan për të mos u përmendur thuajse kurrë. Dy pjesëmarrjet në fazën e grupeve të Ligës së Europës – kjo e këtij sezoni, vërtet mbresëlënëse – si dhe komandimi i kampionatit të Superligës, në pikëpamje teknike janë treguesi më i pakundërshtueshëm se jemi para një ngrehine futbolli nga më seriozet e historisë së kësaj loje në vendin tonë.

Ekipi kombëtar, kryesisht për meritë të vet, por dhe për shumë aksesorë që ndikuan, ia doli të kualifikohet për në fazën finale të Europianit francez të para një viti. Historike si arritje, kjo ishte frut i një kombinimi gati në perfeksion i gjithçkaje që rrethon një ekip përfaqësues. Financiarisht pati një boom, çka ndikoi drejtpërdrejt në një trajtim për të qenë të të gjithë aktivitetit të përfaqësueses e mbulimit mediatik të saj. Edhe politika, ku me idenë e mbështetjes reale e ku me atë të përfitimit, u përfshi dhe pati ndikimin e vet. Sidoqoftë, edhe pa paterica të tilla (në kuptimin e mirë të fjalës), kuqezinjtë përligjën gjithçka me paraqitjen në fazën finale të Europianit. Humbja me Zvicrën me një gol të pësuar hershëm e me më shumë se një pjesë loje e një lojtar më pak, ajo me Francën në limit dhe fitorja me Rumaninë ishin përmbledhja e një aventure që është pak ta quash të suksesshme.

Pikëpyetjet

Para dy sezonesh, Skënderbeu mori një goditje në trajtën e një nokdauni: për dyshime të forta në manipulimin e rezultateve, ekipi u konsiderua i papërshtatshëm për të marrë pjesë në Champions League. Polemikat u shtuan edhe nga përfshirja në këto dyshime edhe e shumë mdeshjeve të kampionatit shqipar, çka vinte në diskutim edhe titujt e fituar. Sidomos të fundit. FSHF, edhe pse u vonua qëllimshëm në analizën e këtij rasti dhe marjen e masave të duhura, bëri një gjysmë lëvizje, duke ia hequr titullin e fundit korçarëve.

Ndoshta për efekt të rritjes së popullaritetit të De Biazit dhe lënies në hije të rolit tëFSHF-së e presidentit Duka, arritja në finalet e Europianit u baltos. Jo vetëm nga jashtë, prej atyre që shohin teori konspiracioni pas çdo “goli”, por dhe nga brenda Federatës. Deri dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv vrapuan nëpër studio televizive për të thënë – me gjysmë zëri, natyrisht – se FSHF ka punuar fort” (ec e përktheje çdo të thotë kjo) në fitoren në tavolinë ndaj Serbisë, apo dhe se “pati ca zhvillime” që frenuan fitoren e Danimarkës në Armeni, apo që lehtësuan tonën në ndeshjen e fundit. Shkurt, arritja më shumë se teknike, ishte pjellë e “investimit” të kryer nga FSHF.

Ndryshim

Përfaqësuesja duhet të përsërisë suksesin për Europianin e ardhshëm. Ndryshimi formulave e mundësitë e shtuara, gjithsesi, – nëse i beson “furtunës” së ngritur në rastin e De Biazit – do të kërkojnë “një dorë”. Vullneti mund të ekzistojë, por mundësitë dhe shanset mund të mos jenë ato të tre viteve më parë. Çka do të thotë se rruga e Panuçit nuk do të jetë e “shtruar” si ajo e paraardhëësit të vet.

Skënderbeu ia doli të ringrihej pas dënimit të marrë. Me ndonjë përjashtim krejt të rrallë, tregu ka funksionuar profesionalisht, duke riformatuar një grup lojtarësh realisht niveli. Me një titull të mohuar përmes një maskarade në Kukës në kampionatin e fundit, trajneri Ilir Daja, futbollistët, presidenca e tifozeria, ditën të përballojnë një verë të mundimshme, por të suksesshme. Kaluan plot katër kundërshtarë – ndër ta edhe të nivelit europian – të rihyjë në fazën e grupeve të Europa Ligës e madje dhe të marrë fitoren e parë. Skënderbeu është një lokomotivë e futbollit shqiptar. Për fatin e mirë të vet e për të keq tonin, është stakuar nga… vagonat e Superligës!

  • Opinion nga Fatmir Mëneri, ekskluzivisht për Vipsport.al

S'KA KOMENTE

Comments are closed.