Opinion / Udha e mbarë e faleminderit Gianni…

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Opinion / Në futboll nuk ka mirënjohje por edhe kujtesa është shumë e shkurtër.
Përherë në Botëror apo Europian kemi parë sesi luajnë të tjerët.
Erdhi në Shqipëri Gianni nga Italia e solli frymë profesionizmi. Modernizoi përzgjedhjen në kombëtare: udhëtoi, pa e bindi diku te rreth 60 lojtarë anembanë Europës të vinin të luanin për Shqipërinë. 4 a 5 trajnerë përpara tij, vendas e të huaj përdorën të njëjtin brez futbollistësh e sukses i madh ishte vendi i parafundit, po këtë shumë prej nesh mesa duket e kanë harruar.
Gianni nga Conegliano Veneto bashkoi në të njëjtën skuadër bij emigrantësh që nuk flisnin as shqip, e në italisht i frymëzonte me doza atdhetarie. Gianni nga Italia!
Me Gianni-n trajner morëm rezultate të paimagjinueshme më parë. Mundëm Norvegjinë në Oslo, Portugalinë jashtë fushe (kombe të cilëve ndoshta vetëm në peshëngritje i jemi superiorë) e kulmi kualifikimi në Kampionatin Europian Francë 2016. Eufori e madhe, Gianni-n mundësisht edhe të parë dasme mund t’a bënim në shtëpitë tona.
Për herë të parë, Shqipëria që nëpër kronika bëhet protagoniste vetëm kur vidhet ndonjë shtëpi, kur kapet tonelata e radhës me hashash apo kur shumëpaguhen videot me drone e hashtagun #visitAlbania anash, u pa nga bota mbarë edhe si komb që di të luajë futboll, që di të sillet me qytetari në stadiume e për më tepër shqiptari dhuron atmosferë festive kudo ku kombëtarja e tij luan. Edhe këtu rezultatet falë Gianni-t.
Edhe Gianni është njerëzor, e me të drejtë pas Europianit i hypi vetja në qejf (ti në jetë, je kualifikuar ndonjëherë në Europian e je sjellë ndryshe?) e diku ndoshta e dha ndonjë deklaratë të nxituar. Po është pjesë e lojës, e punës, e vetë jetës. Shpejt e shpejt ju vumë kundër.
“Legeni”, “pepino”, “menaxheri”. Po mirë më, ne që akoma me vështirësi kemi drita e ujë nëpër shtëpia, që paguajmë nën dorë infermierët e doktorët nëpër spitale, që rrogën mesatare e kemi te 300 mijë lekëshi në muaj e që paguajmë pedagogët për të kaluar nëpër provime, kë presim trajner kombëtareje? Lippi-n apo Del Bosque-n?
Është mëkat i madh kur nuk i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin e fajin përherë na e ka tjetri.
Tani që do iki Gianni mbase vendin e tij do e zërë ndonjë shqiptar. E në kombëtare do shikojmë çunin e Nurit dhe atë Halilit, meqë te U-21 janë. E seleksionues talentesh në Greqi do kemi Drini Çaushin, atë të videos.
Udha e mbarë e faleminderit Gianni…

Publikuar tek “Pjesa e tretë” në Facebook.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.