Opinoion/ Kampionati, jo si pasaportë, por si proces nga YLLI AGA

0
SHPËRNDAJE

Ylli Aga

Gara më e rëndësishme futbol listike në vend ka mbyllur llogaritë për vitin kalendarik 2017. Në mënyrë të çuditshme, pa i luajtur të gjitha ndeshjet e programuara dhe për këtë në FSHF, do të duhet të ketë një reflektim të fortë, pasi kalendari është një element i rëndësishëm dhe duhet respektuar më shumë se tekat e klubeve konkurruese. Fillimi i kampionatit më vonë se secili vend tjetër i kontinentit duhet konsideruar një argument i fortë për të mos ndodhur më, mbi të gjitha për të mos krijuar edhe një precedent se organizimi i dobët i disa klubeve do të mirëkuptohet nga “treni” i skuadrave të tjera që detyrohen të presin pafundësisht.

Megjithatë, kjo temë e tejkaluar e zhvendos vëmendjen te të tjera çështje që kanë qenë bashkëshoqëruese për vite me radhë të kampionatit tonë. Dhe nga fillimet e tranzicionit, dy elemente kanë qenë nga më problematiket, dhuna dhe trukimet. Për fat, për një ndërgjegjësim të aktorëve apo falë presionit edhe mediatik, në përfundim të 16 javëve, këto dy sëmundje të futbollit tonë nuk kanë qenë për asnjë moment kryefjalë e diskutimeve të emisioneve të shumta sportive apo titujve të parë të gazetave dhe në të gjitha portalet.

Në një analizë të ftohtë, gjithkush mund të bëjë një krahasim të thjeshtë mes këtij realiteti dhe të kaluarës së afërt dhe do të bindet për ta parë kampionatin, jo si një pasaportë, ku secili klub konkurrues është strikt i detyruar për të respektuar rregulla dhe parime të garës, por si një proces, ku çdonjëri është në garë me veten, të kaluarën e tij dhe mbi të gjitha në sinkron me standardet. Dhe në këtë këndvështrim, gjithsecili mund të dallojë lehtësisht përmirësimet, por gjithashtu edhe të konstatojë diferencat që futbolli ynë dhe organizimi i tij ka me ligat dhe modelet më të mira të kontinentit.

Gjithsesi, në këtë panoramë nuk kanë munguar edhe aludimet për fiksim të rezultateve sportive, siç ishte rasti i fitores së jashtëzakonshme të Luftëtarit 5-0 ndaj Partizanit. Në fundin e saj, në vend që gjirokastritët të merrnin meritat për këtë sukses, gjithçka u mundua të zbehet nga dyshimet për një rezultat të trukuar. Dhe të gjitha këto pa asnjë bazë, pa asnjë të dhënë apo dëshmi. Ndërkohë që nëpërmjet një monitorimi të thjeshtë, siç konfirmohet edhe nga fotoja e mëposhtme, mund të kuptosh se kjo ndeshje nuk ka qenë e kuotuar “live” dhe në të gjitha kompanitë, që kanë pranuar si gjithmonë shuma modeste, zgjedhja ka qenë për fitoren e skuadrës së kuqe duke sjellë edhe ulje të koeficientit nga 2.2 deri në 1.9.

Sigurisht një e dhënë e tillë nuk përjashton mundësinë që të dalë ndonjë raport me të dhëna të reja, por deri në këtë moment, fitorja e bujshme e gjirokastritëve është 100% e pastër. Por në këtë moment duhet të ketë edhe një reflektim nga kritikët e përhershëm, të cilët duhet të ndalin “baltën” mbi një produkt ku investohen miliona euro dhe të evitojnë opinionet pas ndeshjeve të tilla, sipas modelit “këtu ose ka naftë, ose ka grup armiqësor”, që nënkupton se jo pas çdo rezultati befasues duhet të ketë pas një histori bastesh ose tradhtie.

Sepse është vetë futbolli që na ka mësuar me të tilla surpriza. Përndryshe, çfarë do të mendonim kur Barcelona mund 5-0 Real Madridin, Man Junajtid 8-2 Arsenalin, Gjermania 7-1 Brazilin. Apo pse kur Luftëtari i shënonte 5 gola në kryeqytet Partizanit më shumë se tre dekada më parë ishte gjithçka e pastër dhe tani duhet të ketë patjetër një histori bastesh? Dhe në këtë moment është e rastit të rikthejmë në piedestalin e nderit Luftëtarin dhe trajnerin Hasan Lika për një nga ndeshjet më të bukura të historisë së këtij klubi, për profilin sugjestionues të disa futbollistëve, për golin e Abazajt që më siguri do të flitet edhe pas disa dekadash dhe për triumfin e një modeli sportiv të udhëhequr nga një njeri i vetëm, që arrin të mposhtë me punën dhe zgjedhjet tij një “ekip me drejtorë” te rivalët e kuq.

Përzgjedhja, seleksionimi dhe marrja në pronësi e futbollistëve si Bregu, Abazaj apo Rroca është treguesi më i mirë i rrugëtimit që duhet të ndjekin shumica e klubeve tona, për të pasur sukses sportiv dhe bilance financiare pozitive. Kampionati ynë ka ende shumë elementë që na mbajnë larg modeleve më të mira, por për shumicën prej tyre, fajin nuk duhet ta kërkojmë vetëm te futbolli, por tek ambienti aspak miqësor që e rrethon atë. Gjithsesi, nëse do të ketë vullnet për të ndjekur procesin për të korrigjuar çdo problematikë, futbolli ynë do të vijojë rrugën për t’u përmirësuar, për të qenë konkurrues dhe pse jo edhe më shumë fitues në arenën ndërkombëtare.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU