Orges Shehi: Respekt për Luftëtarin por nesër fitojmë ne

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Skënderbeu mbylli ditën e sotme përgatitjet për ndeshjen ndaj Luftëtarit, e cila do të luhet nesër në orën 17:00. Ndërkohë, në konferencën për shtyp para ndeshjes, kapiteni Orges Shehi ka vlerësuar maksimalisht ekipin gjirokastrit por ka theksuar që ekipi do hyjë në fushë për fitoren e radhës.

Shehi si e ka përgatitur skuadra juaj këtë përballje të nesërme me Luftëtarin?

Unë mendoj që pas të mërkurës kur kaluam me sukses impenjimin për Kupën e Shqipërisë, jemi përqëndruar maksimalisht dhe kemi vlerësuar po kaq shumë skuadrën e Luftëtarit që vjen në Korçë për t’u përballur për kampionat me ne. Kam besimin se jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm për takimin e nesërm.

Do të jetë një ndeshje e vështirë kjo për Skënderbeun?

Unë mendoj që është një takim i vështirë si të gjitha takimet e tjera. Duke veçuar këtu faktin që Luftëtari ka një ekip të mirë dhe gëzon respektin maksimal nga ana jonë. Besoj se është një ndeshje mjaft impenjative që kërkon përqëndrim dhe vlerësim maksimal nga ana jonë.

Nuk lejohen gabimet për ju, aq më tepër në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë…

Dua të specifikoj këtu se në këtë pikë që është kampionati ne po mendojmë që të marrim maksimumin e pikëve tona. Duke marrë maksimumin e pikëve të mundëshme kërkojmë që të rikuperojmë nga diferenca e krijuar nga rivali ynë për titull që qëndron në vend të parë në klasifikim. Besoj që është e ndaluar lënia e pikëve aq më tepër në shtëpi.

Në tre ndeshje kampionati me “erën Daja” nuk keni pësuar asnjë gol. Një vlerë e shtuar kjo nga ana e trajnerit të ri?

Unë nuk dua t’i ndaj me “epoka”. Nuk dua të bëj ndarjen “epoka” Daja dhe “epoka” Agostinelli. E kam thënë dhe herë të tjera dhe po e përsëris që është koha ajo që do të tregojë gjithçka edhe përsa i përket ndryshimeve në stol. Edhe me trajnerin tjetër kemi pasur një ecuri të mirë pozitive me pesë takime pa pësuar gol. Besoj se tani jemi duke bërë mirë dhe do të vijojmë të punojmë me këtë ritëm për të marrë atë që na takon dhe për të qenë brenda objektivave tona.

Shehi, fiton Skënderbeu por diferenca me Kukësin mbetet gjithmonë katër pikë?

Unë mendoj që jemi të përqëndruar vetëm tek ekipi ynë, por sigurisht që pasi mbarojmë takimin pyesim edhe si kanë dalë rivalët në ndeshjet e tyre. Vazhdoj të përsëris faktin se jemi të përqëndruar tek puna jonë dhe ecuria jonë, dhe më pas të shohim rezultatin e rivalëve. Nesë ata lënë pikë rrugës aq më mirë për ne.

Kur mendoni se do e kapni kreun e renditjes?

Nuk mund t’i japësh një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje. Por mund të them që ne duhet të shohim vetëm punën tonë të bindur se nëse ne bëjmë mirë do i arrijmë objektivat klubit.

Janë tre fitore minimale të Skënderbeut, nga 1-0. Nga se vjen kjo, ndoshta nga forca sulmuese që nuk është atje ku duhet apo nga mentaliteti?

Unë them se nuk është asnjë nga këto dhe për t’iu bindur po i analizoj një dhe nga një. Potenciali ynë sulmues dihet që është i miri, pasi në ekip kemi sulmuesit më të mirë të kampionatit, sulmues që nuk kanë nevojë për elozhe. Por edhe mentaliteti mund të them se mentaliteti ynë të paktën nga fundi i fazës së dytë dhe në fillimin e fazës së tretë ka ardhur duke u rritur ndjeshëm. Skuadra ka ardhur në ngritje, rastet kanë qenë të shumta dhe shpresojmë që të shënojmë sa më shumë.

Por futbolli nuk matet me raste por me gola…

Natyrisht rastet edhe shpërdorohen në një lojë futbolli. Ajo që ka rëndësi është fakti që ekipi prodhon dhe kjo është pozitive. Më pas golat do të vijnë vetvetiu. Ne kemi besim tek sulmuesit tanë dhe i vlerësojmë ata maksimalisht me bindjen se golat do të vijnë gradualisht me rritjen e ekipit.

Dosja e UEFA tashmë është dorëzuar tek Komisioni i Etikës dhe zhurma është rikthyer sërish. Për ju si kapiten si qëndron çështja dhe a mendoni se është thjesht një zhurmë që stiset enkas për të zhbalancuar situatën tek Skënderbeu?

Unë mendoj që është një zhurmë e madhe që herë pas here bëhet për Skënderbeun. Personalisht e quaj këtë një kapitull të mbyllur. Ne jemi dënuar nga UEFA me një vit mospjesëmarrjeje në Europë, për mendimin tim me pa të drejtë, një dënim që u krye dhe u shlye dhe nuk mendoj se do të pasohet nga një dënim tjetër. E theksoj sërish, jemi dënuar me pa të drejtë dhe kjo çështje kot sa diskutohet tashmë.

Ka depërtuar tek lojtarët kjo zhurmë që bëhet herë pas here?

Sigurisht që ndikon, ndoshta lojtarët dhe nuk e shprehin por brenda tyre në njëfarë mase ndikon pasi të lexosh në shtyp dhe media çdo dy javë që shkruajnë për Skënderbeun është disi problematike për përqëndrimin e ekipit. Por ne jemi munduar të qëndrojmë të padepërtuar dhe kemi dhënë maksimumin tonë në fushë.

Kujt i druheni më shumë nga rivalët, Kukësit apo Partizanit?

Janë të dy rivalë të denjë dhe ekipe shumë të fortë që së bashku me ne do t’i japin tonin kampionatit. Janë tre ekipe që kanë në përbërje lojtarë shumë cilësore dhe nuk do të më pëlqente që të bëja një diferencim se kush është ekipi më i fortë.

Së fundmi mund të na thoni fiton nesër Skënderbeu?

Unë mendoj që po.

/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.