Panuçi: Të jem trajner i Shqipërisë privilegj, objektivi të shkojmë në EURO 2020

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, është prezantuar sot publikisht në një konferencë për shtyp. Ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, duke treguar se si pranoi të marrë këtë detyrë dhe duke folur për planin e punës që ka në lidhje me përfaqësuesen kuqezi.

“Ishte shumë e lehtë, sepse për mua të jem trajner i Shqipërisë është shumë prestigjioze, një mundësi shumë e rëndësishme. Kërkoja diçka serioze dhe dua të them se presidenti Duka, që foli pak me mua, u tregua shumë praktik dhe më dha menjëherë dëshirën për të më afruar, edhe pse nuk isha kandidati i vetëm. Kemi folur në përgjithësi kur u takuam bashkë, pastaj ndodhi që më mori te Shqipëria.”

“Objektivi është të shkojmë në EURO 2020, i vetmi objektiv i madh që kemi. Kjo është ajo që duhet të bëjmë, jam i bindur se kemi skuadrën që na duhet për të shkuar atje.”

“De Biasi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, e drejtë ta vlerësojmë, ai është një mik i imi. Ai ka shkruar historinë në Shqipëri, por tani fillojmë diçka të re dhe do të mundohem të bëj edhe unë diçka të rëndësishme këtu.

Mendoj se grupi që ka ndërtuar De Biasi dhe gëzimet që kanë dhuruar, tani është ndryshe. Ai ishte në ndërtim në fillim, kurse tani Shqipëria është në një nivel shumë më të lartë. Revolucionin e bëjnë lojtarët, nëse ka të rinj të aftë që të vijnë, do të vijnë. Siç e ka thënë presidenti Duka, Kombëtarja është e hapur ndaj të aftëve, nëse ka të tillë në qarkullim, ai është revolucioni, përndryshe grupin e njihni.”

“Nëse në Kampionatin shqiptar do të ketë lojtarë të aftë që meritojnë Kombëtaren, do të vijnë, nuk i ndaj. E rëndësishme është që Shqipëria të fitojë ndeshjet dhe kur të shkojmë në ‘luftë’ do të shkojmë me ‘ushtarët’ më të mirë.”

“Kam parë më shumë ndeshje të kombëtares këto 10 ditë sesa seriale televizive, i njoh shumë lojtarë. Më parë duhet të njoh njeriun, i cili shumë më shpesh është më i rëndësishëm sesa lojtari. Nuk kam moto, dua që të më tregojnë rëndësinë që ka për ta se janë shqiptarë, kjo është e rëndësishme për mua.”

“Mendoj se Rusia kishte 12 vite që nuk shkonte në Botëror. Ishte një eksperiencë fantastike që më bëri të rritesha. Pastaj Botërori nuk shkoi mirë, sigurisht. Nuk kam frikë të digjem këtu, por është një privilegj dhe nder të jem trajneri i Shqipërisë. Kjo është një sfidë që nuk më frikëson, jam i karikuar për këtë aventurë të madhe, që presidenti Duka më dha mundësinë të drejtoj Kombëtaren.”

“Mendoj se këto ndeshje do të jenë të rëndësishme, edhe pse pak skuadrën e njoh. Problemi është që në Kombëtare ke pak kohë për të punuar. Ndërkohë që e kam një ide të përgjithshme për ekipin.”

“Para së gjithash, falënderoj publikisht trajnerin De Biasi se e di që i ka folur mirë presidentit Duka për mua. Sa i përket shqipes, i kam thënë presidentit Duka se në kohën që do të jem këtu, do të marr leksione të gjuhës shqipe se është e drejtë që të mësoj sa më shumë fjalë, aq më shumë ato që më duhen në fushën e lojës. Himnin, do të mundohem ta mësoj.”

“Më intereson pak nëse Italia mbetet jashtë, jam trajner i Shqipërisë dhe dua të fitoj çdo ndeshje. Kur shoh fushën e lojës nuk njoh as babain tim, jam italian por jam trajneri i Shqipërisë. Do të ketë emocione, por dua që të fitojë Shqipëria.”

“Kam drejtuar dy vite te Livorno dhe Ternana, kam punuar me klube, por është fat i jetës. Ishte kjo mundësi që u shfaq dhe e mbërtheva. Në Rusi ishte insistim i i trajnerit Kapelo të shkoja atje, ishte një shkollë atje dhe më ka ndihmuar të rritem personalisht.”

“Shpresoj të bëhem si Kapelo, mendoj se kam qenë lojtari më i rëndësishëm për të sepse kudo që shkonte më dëshironte. Kjo është një motiv krenarie për mua. Kisha fatin që 18 vjeç të isha te Milani, më mësoi profesionalizmin, kulturën e punës, të jem i përulur, të kem gjithmonë objektiva të mëdhenj.

Më ka mësuar të fitoj dhe harroj, të rifitoj. Për mua ishte një trajner i madh, një baba, një mik, i jam shumë mirënjohës. Ndërkohë që tashmë si 44-vjeçar, mendoj se i kam dhënë diçka edhe unë atij.”

“Të shkojmë në EURO 2020, nëse jo, mirupafshim dhe do të jem i inatosur gjithë ditën. Ky është objektivi, të shkoj në EURO 2020. Do jetoj vetëm për këtë objektiv.”

“Pjesëtarët e stafit do të jenë bashkëpunëtorë italianë, por edhe dy bashkëpunëtorë shqiptarë. Eshtë e drejtë që të ketë të tillë se ata mund të na japin ne njohuri, ashtu si ne do i japim atyre, është një këmbim idesh që është normale të ndodhë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.