PAOK-u nuk e huazon Ergys Kaçen sepse është… shqiptar

0
SHPËRNDAJE

Ergys Kaçe është tashmë lojtar i PAOK-ut. Pas krisjes me trajnerin dhe drejtuesit e Plzenit, ai ka mbyllur çdo marrëdhënie me ekipin çek. Prej ditësh, vetë drejtuesit e PAOK-ut kanë nisur negociatat me skuadra të ndryshme, për të tentuar huazimin e lojtarit, duke qenë se Kaçe nuk është më në planet e trajnerit të kësaj skuadre.

ergys kace

Iraklis është shprehur e interesuar për shërbimet e mesfushorit të Kombëtares, mirëpo mungesa e dokumenteve greke dhe fakti që ai është futbollist i huaj nuk ia mundësojnë diçka të tillë.

Takimi

Mediat greke bëjnë me dije që presidenti i PAOK-ut ka pasur një takim me drejtorin përgjegjës të Iraklis në çështjet e merkatos së transferimeve. Sipas “instasport.gr”, më 18 nëntor ka pasur një takim mes Lubos Mishel (presidenti i ri i PAOK-ut që do të marrë drejtimin e bordit më 21 dhjetor) dhe Nikos Kagioulis personi përgjegjës në ekipin grek për merkaton e transferimeve.

Mes tyre, tema e diskutimit ka qenë mundësia e transferimit të Kaçes në muajin janar si përforcim tek Iraklis. Në parim, të dy drejtuesit kanë gjetur një akord dhe kanë pranuar mundësinë e kalimit të lojtarit kuqezi në këtë skuadër. Konfirmimi Është vetë Kagioulis që ka pranuar interesimin për Kaçen.

“Ne jemi të hapur që të afrojmë lojtarë nga PAOK-u, Olimpiakos apo cilado skuadër. Mjafton që të jetë në planet e trajnerit dhe unë jam i gatshëm që t’i plotësoj atij çfarëdolloj kërkese”, është shprehur ai pas takimit me kreun e PAOK-ut.

Pengesa

Shpeshherë, mungesa e një pasaporte vendëse në kampionatin ku kërkon të luajë një futbollist, është pengesa kryesore e një transferimi. Edhe me Kaçen, duket se kjo pengese do të bëhet shkas që diçka e tillë të mos ndodhë. Në rregulloren e Federatës Greke të Futbollit, numri i lojtarëve të huazuar në merkaton e janarit është i pakufizuar. Por, vetëm për lojtarët grekë që janë mbi moshën 24 vjeç.

Ergys Kaçe është shqiptar dhe mospasja e një pasaporte të shtetit helen, e ndalon atë që të huazohet tek Iraklis. Përpara se Kaçe të zgjidhte Shqipërinë, atij iu ofrua fillimisht një pasaportë si për ta joshur që të vishte fanellën e kombëtares helene, por në momentin që Kaçe zgjodhi ngjyrat kuqezi, autoritetet helene refuzuan kërkesën e presidentit të atëhershëm të PAOK-ut, i cili u angazhua personalisht me plotësimin e dokumentacionit.

OLSI TUJANI

/Panora Sport

S'KA KOMENTE

Comments are closed.