Paolo Tramexani pranë largimit nga kombëtarja kuq e zi

0
SHPËRNDAJE

De Biasi & Tramexani

Paolo Tramexani dëshiron që shumë shpejt të fillojë karrierën si trajner, siç e ka pranuar vetë krahu i djathtë i Xhani De Biazit në një intervistë të dhënë pak ditë më parë. Ndërsa në FSHF ai shihet si një kandidat i mundshëm për të zënë vendin e trajnerit aktual në drejtimin e Kombëtares kur ky i fundit të vendosë të largohet, për 46 vjeçarin nuk mungojnë oferta të tjera.

Që në verë u përfol për interesimin e disa klubeve zvicerane për ish-futbollistin e Interit, por ai refuzoi çdo ofertë që i erdhi në atë periudhë, i bindur të vazhdonte projektin e tij në Shqipëri ku është bërë edhe Drejtor Teknik i kombëtareve të moshave.

Gjithsesi, tani është koha për të vendosur dhe Tramexani aktualisht ka mundësinë të zgjedhë se çfarë do të bëjë. Sipas mediave italiane, ai është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës së Luganos. Presidenti i këtij klubi, Anxhelo Renxeti, sot shkarkoi nga detyra teknikun Andrea Manxo dhe mendohet se i ka bërë Tramexanit një ofertë për të marrë drejtimin.

Në javët në vijim, asistenti i De Biazit do të vendosë nëse do të vazhdojë në Shqipëri, apo do të fillojë karrierën si trajner i parë, me një klub i cili si objektiva ka mbijetesën në elitë, pasi aktualisht gjendet vetëm 2 pikë larg vendit të fundit në klasifikim.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.