Partizani / Faza përgatitore në Itali dhe 4 miqësore

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Superiorja/ Partizani i sezonit të ri pritet që të zbulohet pas prezantimit të trajnerit Mark Iuliano. Skuadra vijon pushimet që pas eliminimit nga Liga e Europës, ku më 6 korrik u mundën 1-0 në ndeshjen e kthimit në Bullgari nga Botev Plovdivi. Për momentin, dihet që klubi do të kryejë një fazë përgatitore trejavore në Norçia të Italisë, ku, përveç konsolidimit të grupit dhe kapjes së formës, të kuqtë do të zhvillojnë edhe disa miqësore.

Mendohet se të kuqtë, nën drejtimin e trajnerit Iuliano, do të zhvillojnë rreth katër ndeshje testuese në Itali. Gjatë ditës së djeshme, mediat italiane kanë zbuluar edhe një nga kundërshtarët e “demave” në fazën përgatitore në Norçia. Më 19 gusht, Partizani do të jetë përballë skuadrës së Serisë B, Ternana, të cilën më herët e ka drejtuar edhe trajneri i sapoemëruar i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi.

Gjithsesi, klubi pritet që të publikojë axhendën e fazës përgatitore në Norçia pas prezantimit të trajnerit Mark Iuliano, emërim, i cili do të realizohet nesër në ambientet e klubit, në orën 11:00.

Të kuqtë kanë përzgjedhur Norçian për këtë fazë përgatitore, pasi aty ofrohen të gjitha kushtet e nevojshme, si për sa i përket akomodimit dhe terreneve, por edhe për gjetjen e kundërshtarëve potencialë për ndeshje miqësore. Gjatë ditës së sotme pritet që të zbresin në kryeqytet “tabori” italian që do të drejtojë Partizanin e sezonit të ri, ku bën pjesë Luçiano Moxhi, trajnerët Iuliano dhe Dosena, por edhe ndonjë përforcim i mundshëm.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.