Partizani gati për përballjen ndaj bullgarëve të Botev

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Partizani i sezonit të ri nuk është më i njëjti, por të Kuqtë pavarësisht gjithckaje e kanë potencialin për të patur sërish një ecuri të mirë në Europë ashtu si një vit më parë ku shkuan deri në play-offin e Europa League. Të Kuqtë e Sulejman Starovës kanë marrë ngarkesën e duhur fizike gjatë këtyre ditëve dhe janë gati për përballjen e kësaj të Enjteje ndaj bullgarëve të Botev Plovdiv. Temperaturat e larta në të cilat do të luhet ndeshja e parë nuk duhet të jenë justifikim për Partizanin. As largimet e lojtarëve të tillë si Ekuban, Torassa, Ramadani e Cetkovic nuk duhen të përdoren si alibi edhe pse bëhet fjalë për emra shumë të rëndësishëm.

Edhe një vit më parë Partizani kishte të njëjtat vështirësi përpara ndeshjeve europiane sepse nuk kishte një skuadër të konsoliduar plotësisht por të Kuqtë i surprizuan të gjithë duke eliminuar kampionen e Hungarisë, Ferencvarosin, për të siguruar një kualifikim historik në turin e tretë të Uefa Champions League. Trajneri Starova pas ndeshjes ndaj Prishtinës nënvizoi se Partizani ka si objektiv grupet e Europa Leagues një mision i vështirë ky për të mos thënë i pamundur. Megjithatë 15-herë kampionët duhet t’i marrin ndeshjet një e nga një dhe fillimisht kanë për detyrë të nxjerrin jashtë këtij edicioni të Europa League, fituesen e Kupës së Bullgarisë, pikërisht Botev Plovdivin. Formacioni i të Kuqëve krahasuar me miqësoren ndaj Prishtinës, nuk pritet të ketë shumë ndryshime, kështu që të Enjten ndaj Botev-it në Selman Stërmasi do të aktivizohen të njëjtët lojtarë.

Në portë do të jetë Alban Hoxha, ndërsa në krahët e mbrojtjes, Fejzullahi dhe Kotobelli, në qendër me Renato Malotën të dëmtuar dhe Gëzim Krasniqin që ka pak shanse për t’u riaftësuar në kohë, titullarë do të jenë Atanda dhe Ibrahimi. Mesfusha do të përbehet nga 3 lojtarë, Batha në kabinën e regjisë përpara mbrojtjes dhe Trashin e Vilën që do të qëndrojnë afër tij. Ndërkohë Mazrekaj e Progni nga krahët do të mbështesin sulmuesin e vetëm i cili do të jetë Xhevahir Sukaj por në rast se shkodrani nuk ja del dot në vijën e parë do të luajë Bardhi, autori i golit të vetëm në miqësoren ndaj Prishtinës. Nëse e sheh me vëmendje në cdo repart Partizani i këtij viti është ndoshta më i kompletuar se skuadra e një viti më parë që mori pjesë në Kupat e Europës dhe duke patur parasysh edhe faktin që në vazhdim skuadra do të përforcohet me të tjerë elementë cilësorë, ajo që duhet të bëjë ky Partizan është të eliminojë bullgarët e Botev sepse më pas rruga mund të jetë më e thjeshtë për të shkuar sa më larg në këtë edicion të Europa League.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU